“Aleanca për Teatrin” dhe një pjesë e opozitës vijojnë protestën përpara bashkisë së Tiranës, e nënta radhazi.

Protestuesit kanë hedhur molotovë e flakadanë, si dhe vezë në drejtim të mureve dhe dyerve të bashkisë së Tiranës.

Gjatë protestës, nënkryetari i këshillit bashkiak, Dorian Teliti, në fjalën e tij tha kryebashkiaku Veliaj duhet të dalë pasnesër para këshillit bashkiak për të dhënë llogari mbi dosjen hetimore 5D.

“Rama dje fliste për korrupsionin se si donte ai ta luftonte atë. E ka një provë të parë për ta dhënë pasnesër, ku është thirrur mbledhja e këshillit bashkiak. A do ketë fuqi të sjellë Veliajn para këshilltarëve të japë llogari? Ku kanë shkuar 30 milionë eurot e drejtorëve të tij? Veliaj refuzon të bëjë transparencë. A ka fuqi ta detyrojë të vijë në këshill e të japë shpjegim pse 6 milionë iu morën shkollave e çerdheve dhe u çuan tek inceneratori inekzistent? Nëse e sjell pasnesër, atëherë mund të flasë se si luftohet korrupsioni”, tha Teliti.

Anëtari i kryesisë së PD, Grigels Muçollari, u shpreh se kjo protestë është një shfaqje e mrekullueshme e këtij vendi, e këtij qyteti.

“Të nderuar njerëz të lirë të këtij qyteti. Rezistenca jonë, rezistenca juaj, por edhe e shumë qytetarëve që nuk kanë mundësi të vijnë, për mendimin tim është një shfaqje e mrekullueshme e këtij vendi e këtij qyteti. Janë rrahjet e para të një trupi që po pësonte vdekje klinike”, tha Muçollari.

“Duhet të ndjehemi të nderuar, sepse po japim energji, po përdorim këtë moment për të rivendosur ekuilibrin moral në një shoqëri mes pushtetit, ushtruesit dhe qytetarëve”, u shpreh ai./ata