Monika Kryemadhi, deputete e Partisë së Lirisë, tha sot se akuzat e ngritura ndaj saj janë të rreme.

Në një reagim në rrjetet sociale, ajo nënvizon se është vënë në dijeni të akuzave të ngritura nga SPAK në drejtim të saj. “Më është vënë në dispozicion fermani i gjykatës politike të Edi Ramës. Dhjetra faqe me fjali boshe për të justifikuar akuzat e rreme të disa kallëzuesve shpifarakë, atentatorë në tentativë për të vrarë aksionin e opozitës shqiptare në tërësi”, shkruan Kryemadhi.

“Vjedhjet shtetërore mafioze si ajo e inceneratorëve që vazhdojnë përditë dhe në çdo sektor, nuk lahen dot me gjyqet publike që mund ti bëjnë drejtuesve të opozitës shqiptare, përmes procese gjyqësore pa prova dhe pa fakte”, shton Kryemadhi.

Sipas saj, “krimet e disa prokurorëve të prokurorisë speciale, që nuk guxojnë të përmendin emrat Edi Rama dhe Erion Veliaj, duke i amnistuar dhe duke iu nënshtruar pushtetit në kundërshtim me rolin e tyre ligjor si prokurorë të Republikës, kur Rama e Veliaj krimet i kanë kryer dhe i kryejnë duke lënë gjurmë në shkresa shtetërore, nuk mund të amnistohen edhe nëse zyrtarët-ushtarë të drejtësisë ngrejnë akuza politike ndaj çdo deputeti të opozitës në Kuvend, apo drejtuesi partie opozitare”.

“Ju siguroj se, pavarësisht të gjithë gjyqit politik dhe publik, unë kurrë nuk do të ndalem. Ju konfirmoj se po, gjykata politike e Edi Ramës ka marrë për mua vendimin për detyrim paraqitje. Kam udhëzuar ekipin e mbrojtësve të mi ligjorë për të demontuar këtë farsë në çdo gjykatë brenda dhe jashtë vendit. Si kam deklaruar dhe më parë do të përballem me drejtësinë pa asnjë hezitim me të vërtetën time dhe procedurat ligjore brenda e jashtë vendit”, mbyll Kryemadhi reagimin e saj./ata