“Vjosa Wild River Ultra Trailmarathon 2024” titullohet aktiviteti sportiv më i madh që do të zhvillohet më 26-27 tetor në qarkun e Gjirokastrës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se “ky aktivitet na fton t’i bashkohemi një sfide që kalon nëpër zemrën e natyrës dhe biodiversitetit, edhe si promovim për Memaliajn, Tepelenën, Këlcyrën, Përmetin dhe krejt fshatrat përreth, duke sjellë qindra turistë e sportistë për të garuar teksa shijojnë mikpritjen shqiptare”.

Sipas saj, kjo ngjarje ndërkombëtare do të shtrihet përgjatë brigjeve të Vjosës në 5 itinerare.

Ministrja Kumbaro ftoi qytetarët që duan të marrin pjesë të regjistrohen në www.vjosarace.al/ për një përvojë unike të të bërit sport në natyrë, ku sipas saj “peizazhet e Vjosës do t’ju frymëzojnë të tejkaloni limitet”.

“Vjosa Wild River Ultra Trailmarathon 2024” është një projekt bashkëpunimi kulturor dhe sportiv i organizuar nga shoqata sportive “Maraton Albania” në partneritet me bashkitë e qarkut të Gjirokastrës, të cilat ndodhen përgjatë lumit Vjosa.

Qëllimi i kësaj iniciative është të presë Maratonën Ndërkombëtare Ultra Trail “Vjosa Wild River”.

Maratona do të ndjekë rrjedhën e lumit Vjosa dhe do të përfshijë disa kategori garash, duke përfshirë një minimaratonë (11 km), gjysmëmaratonë (26 km) dhe distanca klasike ultramaratonë prej 44 km, 67 km dhe 100 km./ata