Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u përfaqësua sot nga zv/ministrja Denada Seferi në takimin rajonal “Beijing+30 Regional Review” në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

Në këtë takim u theksuan angazhimet e qeverisë shqiptare për zbatimin e politikave progresive që promovojnë barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në çdo fushë të jetës.

“Rruga drejt Bashkimit Europian thekson se barazia gjinore është thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm dhe një të ardhme me prosperitet”, theksohet në një postim në rrjetet sociale të MSHMS-së.

Takimi rajonal “Beijing+30 Regional Review” synon të ringjallë angazhimin politik për të avancuar barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në rajonin e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) dhe të ndërtojë konsensus rajonal mbi veprimet prioritare për të përshpejtuar zbatimin e angazhimeve të marra në Deklaratën e Pekinit dhe Platformën për Veprim.

Në takim morën pjesë ministra, zyrtarë të lartë dhe përfaqësues nga ministritë përkatëse, entitete të Kombeve të Bashkuara, institucione dhe organizata rajonale, organizata të shoqërisë civile, organizata rinore, akademi, ekspertë të pavarur dhe palë të tjera të interesuara nga i gjithë rajoni i UNECE./ata