Në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe, në bibliotekën universitare të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua konferenca shkencore “Leksikografia shpjeguese shqipe e viteve 1930- 1940”.

Veprimtaria u organizua nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, departamenti i gjuhësisë i këtij universiteti dhe Qendra e Studimeve Albanologjike pranë tij. Ky aktivitet i përbashkët erdhi në vazhdën e shumë bashkëpunimeve të tjera shkencore ndërmjet këtyre institucioneve.

Akademiku Valter Memisha ndau lajmin e mirë mbi punën që po bëhet për hartimin e një fjalori të madh të gjuhës shqipe. Konferenca u përshëndet edhe nga prof. dr. Blerta Dragusha, zëvendësrektore e Universitetit të Shkodrës. Në fjalët përshëndetëse u evidentuan disa nga sfidat dhe arritjet e leksikografisë shpjeguese shqipe gjatë viteve ‘30 – ‘40 të shek. XX, si dhe u vu në dukje fakti që dijetarë të trevës së Veriut luajtën një rol kyç në zhvillimet leksikografike të gjuhës sonë, duke i cilësuar ata si prijës.

Kumtesat e mbajtura në këtë tubim shkencor analizuan punën e asaj periudhe dhe vlerësuan trashëgiminë e saj në kontekstin e sotëm, duke u ndalur në prurjet leksikografike të N. Gazullit, P. Tases, L. Nosit, A. Sirdanit; në botime të lëndës leksikore nga dijetarë të tjerë, si: M. Kruja, K. Gurakuqi e A. Xhuvani; si dhe në probleme teorike të parashtruara nga studiues të kohës, si: F. Konica e L. Gurakuqi, duke përgatitur kështu truallin për leksikografinë shkencore njëgjuhëshe institucionale të Pasluftës II Botërore./ata