Ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja është arrestuar këtë të diel me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Çyrbja është politikani i parë që arrestohet si përdorues i aplikacionit ‘SKY’ ku akuzohet nga SPAK se bashkëpunon me grupet kriminale.

Deri në këto momente është përfolur për politikanë që kanë përdorur aplikacionin “Sky ECC” por dosja e Çyrbjas është e para e hetuar nga SPAK që përfundoi me arrestimin e ish-deputetit socialist.

Vlen të kujtojmë që të gjithë zyrtarët e rëndësishëm të qeverisë fillimisht japin dorëheqjen me “porosi nga lart” dhe më pas arrestohen ose shpallen në kërkim. I gjithë ky operacion krijon dyshime për një lloj marrëveshje ose koordinim mes SPAK-ut dhe qeverisë.

Disa ditë më parë deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja dorëzoi mandatin pasi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme.  Vendimi për t’i dhënë fund detyrës si ligjvënës është konfirmuar nga vetë Çyrbja i cili pa pikë turpi mashtroi publikisht njësoj si të gjithë “rilindasit” e tjerë se po jepte dorëheqjen për shkaqe shëndetësore, por në realitet ndodhi e kundërta pasi SPAK po “shkundte” prangat në përballë fytyrës të tij.

Kjo e bën akoma edhe më të thjeshtë mbrojtjen e Ramës dhe justifikimin me “kumbulla dhe dardha” pas shpinës së tij.

Gjithashtu dyshohet se Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur Jurgis Çyrbjen duke shkrirë dy dosje, njëra prej të cilave ka të bëjë edhe me akuzën për ‘shpërdorim detyre’ pas kallëzimit të deputetit demokrat Edi Paloka për abuzime me detyrën kur ishte drejtor i Kadastrës së Durrësit. Në atë kohë drejtues politik i PD në qarkun e Durrësit, Edi Paloka ka çuar në SPAK deputetin socialist i akuzuar për “shpërdorim detyre”, për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave legalizimi për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm, duke realizuar kështu mbivendosje prone.

Në krahun tjetër, Policia e Shtetit në një reagim për mediat mbrëmjen e së dielës bën me dije se Jurgis Çyrbja është arrestuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.

“Nisur nga interesi i madh i mediave ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masen e sigurimit arrest ne burg të caktuar nga Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Cyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni altiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje”, thuhet në reagimin e policisë për mediat.

Çyrbja është arrestuar mbrëmjen e sotme në Durrës. Burimet mediatike bëjnë me dije se bashkë me Çyrbjen, mësohet se në pranga ka rënë edhe bashkëpunëtori i tij, Ahmet Masha, njohur si “Meçe”.

Ndërsa, një tjetër shtetas është shpallur në kërkim.

  • Si gënjeu Jurgis Çyrbja kur dorëzoi mandatin e deputetit

Disa ditë më parë deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja dorezon mandatin pasi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme.

Në një reagim për mediat, Çyrbja gënjeu publikisht duke deklaruar se po largohet për arsye shëndetësore, por realiteti tregoi krejtësisht të kundërtën.

“Kam nevojë për kohë. Do të kujdesem për shëndetin tim. Nuk kam asnjë shqetësim të natyrës ligjore. Dorëheqja nuk lidhet me thirrjen në SPAK. Ishte një vendim që e mora në vlerësim të situatës sime personale”, deklaroi pak ditë më parë Çyrbja.

Ish-deputeti socialist dyshohet se ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të një grupi kriminal në Durrës.

Burime për mediat konfirmuan se “pas një hetimi të gjatë dhe nga përgjigjet e autoriteteve franceze u zbulua se gjatë kohës që ishte deputet, ai ishte përdorues i aplikacionit Sky dhe se ka të dhëna sekrete se ka bashkëpunuar me personazhe të një grupi kriminal në Durrës”./BoldNews