Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës çelën ekspozitën “Koleksionet Veneciane në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë”. Kjo ekspozitë është një ndër më të mëdhatë e më të rëndësishmet organizuar nga BKSH-ja. Rreth 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia, mes viteve 1400-1800, janë pjesë e kësaj ekspozite dhe pjesa më e madhe e tyre shfaqen për herë të parë në publik.

Ekspozita ndahet në disa seksione. Seksioni i parë, i kushtohet historisë së Venecias, si një prej qendrave më të rëndësishme të Rilindjes Europiane, e cila në periudhën mes viteve 1400 dhe fundit të viteve 1700, ishte qendra e shtypshkrimit në Europë. Qendër e cila luajti një rol të madh për të risjellë në Europë mjaft prej autorëve të antikitetit greko-romak, apo dhe bizantinë, të përkthyer në latinisht apo italisht. Në këtë seksion prezantohen një sërë veprash të rralla, disa prej të cilave janë botuar prej disa prej tipografëve dhe botuesve më të famshëm venecianë, si: Paolo Manuzio, Bernardino Benali, Girolamo Albrizzi etj.

Seksioni i dytë, i kushtohet Shqipërisë dhe Greqisë, vende këto ku Venediku pati një ndikim të madh për disa shekuj me radhë. Në këtë seksion prezantohen disa prej dëshmive të para të shqipes së shkruar, si ato të Buzukut e të Bogdanit. Venecia ishte po ashtu vendi ku u botuan një numër i madh veprash kushtuar Skënderbeut, apo historisë së Shqipërisë, duke nisur që nga ato të Barletit, Marin Beçikemit, Dhimitër Frangut etj. Seksioni përmban edhe një numër hartash origjinale të Shqipërisë dhe të qyteteve shqiptare.

Një seksion i veçantë i kushtohet librave që kanë për temë raportet e Venedikut me Orientin, ku një vend të dukshëm zënë luftërat kundër Perandorisë Osmane, vepra të cilat mund të shërbejnë si një burim i jashtëzakonshëm informacioni për historinë e shqiptarëve.

Venecianët njihen para së gjithash si udhëtarë e gjeografë, ndaj një seksion i veçantë i kushtohet kësaj teme. Dy seksionet e fundit i janë kushtuar botimeve që lidhen me shkencën, letërsinë dhe fenë. -Ekspozita mbyllet me një hapësirë kushtuar botimeve më të reja kushtuar raporteve historike të shqiptarëve me Venecian.

Ekspozita vjen nën kujdesin e kuratores shkencore Elisabetta Sciarra, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences, një prej bibliotekave më prestigjioze dhe më të vjetra në Europë./ata