Samiti rajonal parlamentar, me temë “Rruga drejt sistemeve gjithëpërfshirëse dhe fleksible agroushqimore në rajon”, çeli sot punimet në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 22 vendet e rajonit, duke dëshmuar rëndësinë dhe angazhimin për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme.

Duke marrë fjalën në këtë samit, Raimund Jehle, përfaqësues i Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO) tha se, “sistemet agroushqimore lidhen me çdo aspekt të ekzistencës njerëzore dhe janë të lidhura ngushtë me shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, tokën, ujin, klimën, biodiversitetin dhe ekonominë”.

Sipas tij, krizat e shumta që prekin rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, si dhe sfidat botërore si ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit dhe ndotja e mjedisit, ndikojnë ndjeshëm në transformimin e sistemeve agroushqimore.

Në këtë konteks nënvizoi ai, vlerësimi i situatës lidhur me sistemet agroushqimore në rajon tregon se ato po dështojnë në nivele të shumëfishta.

“Arritja e sigurimit ushqimor, të ushqyerit dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-ve) deri në vitin 2030 kërkon një sërë veprimesh të bashkërenduara në disa fronte: politika dhe programe koherente, rritje të financimit dhe investimeve në përputhje me përparësitë dhe kërkesat kombëtare për bashkëpunim më të madh në sektorë të ndryshëm dhe me palë të ndryshme interesi”, u shpreh Jehle.

Ai theksoi rolin e organeve ekzekutive të qeverive në lehtësimin e zbatimit, përmes institucioneve dhe rrjeteve të tyre.

“Anëtarët e parlamenteve kanë pozicion strategjik për ta bërë transformimin e qëndrueshëm të sistemit agroushqimor përparësi të agjendave politike kombëtare. Kjo përfshin mbështetjen e miratimit të politikave, përcaktimin e kornizave të përshtatshme ligjore dhe rregullatore, ndërgjegjësimin, nxitjen e dialogut ndërmjet palëve përkatëse. Parlamenteve dhe parlamentarëve u bëhet thirrje të japin kontribut më të efektshëm për administrimin e sistemeve ushqimore, përfshirë rritjen e sigurimit ushqimor dhe mjedisor,  dhe proceseve përkatëse përgjatë zinxhirit të furnizimit ushqimor”, tha Jehle.

Ky samit,vijoi ai, i shërben shkëmbimit të pikëpamjeve dhe njohurive mbi gjendjen e sistemeve agroushqimore dhe nxit rolin e Parlamentit dhe më konkretisht rolin e Komisioneve të Bujqësisë në trajtimin dhe reagimin ndaj krizave dhe sfidave që prekin ose mund të nxisin transformimin e sistemeve ushqimore, me qëllim përfshirjen e qasjeve dhe përgjigjeve novatore që përmirësojnë qëndrueshmërinë.

“Sistemet agroushqimore janë në zemër të ekonomisë dhe shoqërisë sonë. Ato janë të lidhura ngushtë me shëndetin tonë, mjedisin tonë dhe qëndrueshmërinë tonë përballë sfidave globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike, sigurinë ushqimore dhe pabarazinë ekonomike. Diskutimet tona sot janë vendimtare, pasi ato do të formësojnë strategjitë që ne përdorim për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, të barabartë dhe të begatë për të gjithë”, u shpreh Jehle.

“Ne kemi mundësinë të eksplorojmë praktika inovative, të ndajmë njohuritë mbi praktikat e qëndrueshme bujqësore dhe të shfrytëzojmë se si mund ta përdorim teknologjinë për të rritur produktivitetin duke mbrojtur burimet tona natyrore. Është gjithashtu thelbësore që në punën tonë të përditshme të angazhojmë fermerë, prodhues dhe komunitete, duke siguruar që nevojat e tyre të plotësohen, dhe politikat tona dhe vendimet legjislative të jenë të informuara nga këto nevoja”, përfundoi ai.

Në samit marrin pjesë anëtarë të komisioneve parlamentare të bujqësisë dhe ushqimit të vendeve të Europës dhe Azisë Qendrore./ata