Standardet e kreditimit për bizneset mbetën të pandryshuara në tremujorin e tretë të vitit 2024.

Banka e Shqipërisë publikoi vrojtimin për këtë tregues, sipas të cilit,”standardet u raportuan të pandryshuara në kreditë për financimin e investimeve dhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet”.

Sipas madhësisë së biznesit, standardet u lehtësuan disi për segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, dhe u mbajtën të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh.

Në kahun lehtësues të standardeve të kreditimit u raportuan kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci, si edhe situata ekonomike në vend e perspektiva për të. Në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit u raportuan perceptimi i rrezikut mbi aftësinë paguese të kredimarrësit dhe mbi kolateralin e kërkuar, si edhe toleranca më e ulët e bankave kundrejt rrezikut

“Në tremujorin e fundit të vitit 2024, standardet e kreditimit priten të mbeten të pandryshuara, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë: për financimin e investimeve apo për mbulimin e nevojave për likuiditet”, bëri të ditur BSH-ja./ata