Një grua e moshës 54-vjeçare, shtetase amerikane, ka humbur jetën në qendrën e skiimit në Brezovicë të Shtërpcës në Kosovë pasi është zënë nga orteku i borës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për Anadolu se kanë marrë informacion rreth orës 3 e 35 të pasdites për vdekjen e një personi gjatë skiimit në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”.

“Dyshohet se shkak i këtij incidenti ka qenë rrëshqitja e një orteku të borës. Ekipe të policisë dhe ekipe të kërkim shpëtimit kanë qenë në vendin e ngjarjes. Viktima është femër, shtetase e huaj, e moshës rreth 54-vjeçare, vdekjen e së cilës e kanë konfirmuar mjekët kujdestarë”, theksoi Veseli.

Nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, të cilët kanë kontribuuar me ndihmë rreth gjetjes së trupit të viktimës, nëpërmjet një komunikate për media bënë të ditur se viktima kishte marrë lëndime nga orteku.

Sipas tyre, zona “Foleja e Shqiponjave”, aty ku u gjend trupi i shtetas amerikane, njihet si problematik për krijimin e ortekut.

“Anëtarët tanë së bashku me patrollën e skiimit të qendrës skitare në Brezovicë e kanë lokalizuar viktimën, e cila kishte marrë lëndime nga orteku. Me të arritur i është dhënë ndihma e parë, por nuk ka rezultuar pozitivisht. Pas evakuimit të trupit nga ekipet mjekësore është verifikuar vdekja e skiatores”, thuhet në njoftim./aa