Vetëm një në katër të huaj fjeti në strukturat akomoduese në vend, në bujtinë, hotel, apartament apo resort gjatë muajit gusht. Shifrat e institucioneve zyrtare tregojnë se nga 2.1 milionë turistë të huaj që erdhën në vend në muajin gusht, vetëm 462 mijë fjetën në strukturat tona akomoduese në katër anët e vendit.

Diferenca mes bumit të të huajve që vijnë për turizëm në vendin tonë dhe shifrave që deklarojnë strukturat akomoduese për turistët që fjetën pranë tyre, janë edhe më të mëdha për periudhën 8 mujore. Nëse nga janari në gusht në vend kanë hyrë 8.5 milionë të huaj, në strukturat akomoduese janë regjistruar vetëm 18.5% e tyre, ose 1.5 milionë të huaj.

Këto diferenca të mëdha mbi akomodimet ngrenë dy pikëpyetje kryesore, ose vendi është i dominuar nga turistë kalimtar ose informaliteti vijon të jetë i lartë. Ekspertët por edhe vetë institucionet, përgjigjen e kësaj situate e gjejnë tek evazioni në raportimin e akomodimeve nga bizneset.

Kjo për shkak se strukturat akomoduese operojnë të paregjistruara dhe nuk deklarojnë shifrat reale të pushuesve dhe të xhiros së tyre, për këtë arsye në strategjinë e re të turizmit 2024-2030 planifikohet të ngrihet një task-forcë për frenimin e ekonomisë informale. Kjo strukturë do të identifikojnë strukturat akomoduese të paregjistruara, si dhe do të monitorojë raportimin në kohë reale. Po ashtu taskforca do të ketë në fokus të kontrolleve edhe strukturat e ligjshme, të cilat nën deklarojnë akomodimet e tyre.

Po për të goditur fenomenin e informalitetit, institucionet shqiptare do të kryqëzojnë të dhënat që do marrin nga platformat ndërkombëtare si Booking, Air BNB etj, mbi akomodimet për ti ballafaquar me deklarimet e bizneseve në vend mbi turistët e regjistruar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit në vitin 2023, në platforma të ndryshme rezervimi, figuronin mbi 18.200 njësi me qira afatshkurtër aktive, me në total 176 mijë krevate, dhe përpos prezencës së lartë në treg nuk paguajnë taksa.

 

TURISTËT DHE AKOMODIMET, GUSHT 2024

Erdhën në vend             2,167,665 të huaj

U akomoduan                   462,426 të huaj

Diferenca                      -1,705,239 të huaj

TURISTËT-AKOMODIME JANAR-GUSHT 2024

Erdhën në vend             8,533,940 të huaj

U akomoduan                    1,574,723 të huaj

Diferenca                       -6,959,217 të huaj

/Shqiptarja