Shpenzimet e sektorit bankar për interesa arritën shumën e 9.1 miliardë lekëve, në rritje me 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Një arsye duket të jetë rritja me ritme shumë të shpejta të kredisë në monedhën vendase, që ka rritur oreksin e bankave për më shumë fonde në lekë. Për gjashtëmujorin e parë të vitit, kredia në lekë është rritur me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Një faktor dytësor që po ndikon në rritjen e shpenzimeve për interesa është edhe përdorimi gjithnjë e më i madh nga bankat tregtare i instrumenteve të borxhit të njohura si pjesë e kapitalit rregullator.

Përdorimi i këtyre instrumenteve bëhet me qëllim përmbushjen e shtesave makroprudenciale të kapitalit, si dhe kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e këtyre instrumenteve financiare në mesin e vitit 2024 arriti në 14.2 miliard lekë, 83% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ata