Ilir Rusi është zgjedhur kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi sot mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi çështjet e parashikuara në rendin e ditës.

Zyra e shtypit KLGJ njoftoi se, “Këshilli i Lartë Gjyqësor deklaroi mbarimin e mandatit dhe përfundimin e qëndrimit në detyrë të anëtares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami dhe zëvendësimin e saj me anëtaren më të re, Violanda Theodhori, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë si përfaqësuese e shoqërisë civile.”

“Duke qenë se Llagami mbante funksionin e kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, me përfundimin e mandatit të saj, Këshilli në përputhje me parashikimet ligjore dhe nënligjore në fuqi vendosi zgjedhjen e Ilir Rusit, Kryetar të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, lexohet në njoftim.

Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhjeje, Këshilli vendosi zgjedhjen me shumicë votash të Yllka Rupës, në funksionin e zëvendëskryetares të Këshillit të Lartë Gjyqësor./ata