Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha ka reaguar sërish për arrestimin e deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja. Ai thotë se duhet të bëhet vetting-u i politikanëve dhe ndarja e politikës nga krimi.

Në një postim në facebook, Basha shkruan: “Jurgis Çyrben e zgjodhi krimi në vitin 2017. Jurgis Çyrben e zgjodhi krimi edhe në vitin 2021. Por krimi nuk do të mund ta zgjidhte atë pa bekimin e Edi Ramës, i cili e futi dhe e mbajti atë në listë.”

“Deputeti i Edi Ramës, me bekimin e tij, ka dekonspiruar aksionet e policisë, duke i shërbyer personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për t’u shpëtuar arrestimeve nga policia. Në këmbim, këta persona i siguronin atij votues për ta mbështetur si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit”, thekson Basha.

Basha, nënvizon se, “ata opozitarë që, tre vite më parë, i fërkonin barkun Edi Ramën duke më fajësuar mua dhe duke legjitimuar krimin zgjedhor në Shqipëri, sot duhet të ndihen të paktën të turpëruar”.

Basha nënvizon se, që Shqipëria t’i kthehet normalitetit sa më parë, duhet të bëhet vetting-u i politikanëve dhe ndarja e politikës nga krimi./ata