Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi analizoi sot para medieve momentin e arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta, duke deklaruar se efektivët e policisë nuk kanë treguar asnjë mandat arresti apo vendim gjyqësor.

Blushi iu referua videos së momentit të arrestimit dhe deklaroi se dy nga efektivët që morën pjesë në arrestimin e kreut të PL-së janë me precedentë penalë dhe pjesë e bandave në Durrës.

“SPAK dhe GJKKO dy struktura kamikaze në shërbim të regjimit të Edi Ramës. Nuk ka asnjë provë, asnjë dëshmi që e implikon Metën në një shkelje sado minimale të ligjit”, tha Blushi.

Sipas tij, pjesë e grupit terrorist të arrestimit nuk kanë qenë gjë tjetër veçse banditë me uniforma. “Po i verifikojmë emër për emër dhe fytyrën e tyre do ta bëjmë publike për ta mësuar shqiptarët se kush janë këta gangsterë që trimërohen. Nuk u kanë treguar mandate arresti. Sa u përket horrave që u përpoqën të tërhiqnin forcërisht presidentin kemi evidentuar dy persona me precedentë penalë, pjesë e bandave në zonën e Durrësit. Nuk ka asnjë vendim gjyqësor. Ndaj tij nuk është komunikuar asnjë vendim gjyqësor”, u shpreh Blushi.

Sipas Blushit, gjithçka ishte show gangsterësh.

Blushi paralajmëroi se do të bëjnë një kallëzim penal “për kryerjen e veprimeve arbitrare, që kurrë nuk do të amnistohen dhe do të marrin ndëshkimin e merituar”./ata