Shqipëria u prezantua në panairin më të madh të verës në Europë “VinItaly”, nga 20 prodhuesit më të mirë të verës, të cilët ekspozuan verërat “Made in Albania”, tashmë marka të njohura në tregun ndërkombëtar ku eksportojnë prej vitesh.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e ekipit shqiptar të prodhuesve dhe somelierëve në përfundim të Panairit të Verës “VinItaly 2023”.

 

Prodhuesit shqiptarë të verës prezantuan produktet e tyre për herë të parë në stendën “Wine Vision by Open Balkan”, së bashku me prodhues nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

 

Një prej somelierëve u shpreh se stenda ka qenë plot dhe ka kuriozitet për kantinat shqiptare.

 

“Pjesa më e madhe atyre që vijnë janë kuriozë por ka edhe nga ata që e shikojnë si potencial. Ka blerës, distributorë, importues. Po tregojmë varietetet tona autoktone për të cilat ka shumë kuriozitet. Është një krenari që ta vendosim Shqipërinë si një vend në hartën e verës”, tha ai.

 

Përfaqësuesi i kantinës “Arbëri”u shpreh se kjo kantinë u prezantua me 3 etiketa në këtë panair.

 

“Kantina Arbëri ka një prodhim rreth 120 mijë shishe në vit dhe eksporton në disa shtete të BE-së. Në Itali kemi blerësit e importuesit. Kemi gjetur pika takimi dhe kontakte të reja. Kësaj here prezantohemi si ‘Open Balkan’ dhe është shumë e mirë se gjithë shijet e ndryshme që ka Ballkani krijojnë mundësi zgjedhjeje. Politika e ndjekur nga Ministria e Bujqësisë është shumë e mirë dhe besoj se si ky event të ketë sa më shumë se produkti ‘Made in Albania’ është shumë i mirë dhe ka potencial zhvillimi”, tha ai.

 

Ndërsa përfaqësuesi i kantinës “Duka” vlerësoi se u është dhënë një treg shumë i gjerë blerësish por edhe njohës të verës. “Kemi pasur takime me shoqata dhe blerës të ndryshëm potencial jo vetëm nga Italia por edhe më gjerë. Varietetet autoktone kanë pasur interes dhe janë vlerësuar mjaft mirë. Presim të importojmë verë në vende të tjera përveçse 3 vendeve si Italia, Republika Çele dhe Anglia. Pjesëmarrja jonë në këtë panair do të zgjerojë eksportet”, tha ai.

 

Përfaqësuesi i Organizatës Shqiptare të Somelierisë solli në vëmendje rëndësinë e këtij panairi për promovimin e verërave shqiptare.

 

Përfaqësuesi i kantinës “Çobo” u shpreh se aktualisht kanë 36 ha vreshta, falë edhe mbështetjes së AZHBR-së./ATSH