Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte sot në Lezhë në ceremoninë e nisjes së punimeve për zbatimin e Programit Infrastruktura Bashkiake V, i cili parashikon investime në rrjetin e ujësjellës kanalizimeve.

Ky program, sipas ministres përfshin ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë për tri lagje në Lezhë, rehabilitimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura, si dhe ndërtimi i sistemit të ndarë të ujërave të bardha për të shmangur përmbytjet.

Në fjalën e saj ministrja Balluku tha se ky projekt parashikon gjithashtu investime në infarstrukurë si dhe shërbime inxhinierike dhe mbështetje institucionale prej rreth 18 milionë eurosh.

“Do të ndërtohen rreth 3 kilometra linjë transmetimi kryesore për furnizmin me ujë në Shëngjin, si një nga njësitë më të rëndësishme turistike të vendit tonë, rrjet i ri shpërndarës prej rreth 12 km për lagjen Kodër Marleka, rrjet i ri shpërndarës prej rreth 16 km për fshatrat Kakariq dhe Goxhaj, si dhe dy puse të rinj uji”, u shpreh ministrja.

Ministrja tha ndër të tjera se sezoni veror ka qenë i suksesshëm.

“Në zonat bregdetare nga jugu në veri kemi prodhuar gjatë sezonit veror 215 mijë m3 ujë në ditë dhe kemi përpunuar në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura rreth 170 mijë m3 në ditë”, u shpreh ministrja./ata