Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani deklaroi sot se dy sektorë, ndërtimi dhe turizmi në bazë të analizave rezultojnë të kenë nëndeklarim të pagave.

Gjatë një takimi ndërgjegjësues me sipërmarrës dhe drejtues sipërmarrje, në Tiranë, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, zv/ministrja Manjani tha se këta dy sektorë kanë një kontribut të lartë në ekonominë e vendit, teksa deklarojnë paga nën mesataren.

“Problemi lidhet me pagat mesatare kontributive, paga mbi të cilën paguhen sigurimet shoqërore. Ato janë relativisht të ulëta, krahasuar me produktivitetin e sektorëve përkatës. Kjo na lë të kuptojmë që kemi një nëndeklarim të pagës apo informalitet. Dy sektorët të cilët bëjnë përshtypje që janë sektorë me produktivitet dhe vlerë të shtuar të lartë në ekonomi janë “ndërtimi” dhe “tregtia transporti dhe aktiviteti i akomodimit dhe ushqimit”, që lidhen me shërbimet në sektorin e turizmit. Këto dy sektorë kanë pagë mesatare ndjeshëm më të ulët se paga mesatare në ekonomi. Logjika në këtë pikë nuk ecën. Dy sektorë me kontribut të lartë në rritjen ekonomike, por që kanë paga mesatare ndjeshëm më të ulëta se sa mesatarja e ekonomisë“, vuri në dukje ajo.

Sipas saj, në sektorë të tjerë që kanë një vlerë të lartë të shtuar nuk ndodh ky fenomen, pasi paga mesatare në këta sektorë përputhet relativisht me kontributin e tyre në ekonomi.

“Ajo që vihet re këtu ka nëndeklarime të pagës reale për efekt të pagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore”, deklaroi Manjani.

Zv/ministrja theksoi se në bazë të analizave vetëm 58.2 % e të punësuarve paguajnë kontribute.

“Në vitin 2022, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, ishin 1.9 milion njerëz në moshë pune për grup moshën 15-64 vjeç. Rezultoi se 1.23 milion ishin të punësuar, ndërsa 716 mijë kontribuues në skemë. Po t’i referohemi analizës që bëjnë Kombet e Bashkuara rezulton që 58.2 % e të punësuarve paguajnë kontribute, pjesa tjetër jo. Dhe krahasuar me popullsinë në moshë pune përshirë edhe ata që nuk kanë një punë shkon në 38 %”, tha Manjani.

Sipas saj, kjo tregon sa e rëndësishme është pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore në mënyrë që të kuptojmë pastaj se çfarë boshllëku lë mospagimi i kontributeve kundrejt skemës.

Zv/ministrja shtoi se krahasuar me vitin 2013 në vitin 2023 ka rritje të kontribuuesve me 290 mijë, konkretisht nga 520 mijë shkoi në 810 mijë. Por sipas saj, me gjithë përmirësimet që janë bërë që janë reflektuar në treguesit financiarë problemi mbetet.

“Pavarësisht rritjes së të ardhurave dhe numrit të kontribuuesve, buxheti i shtetit derdh në buxhetin e sigurimeve shoqërore 45 miliardë lekë çdo vit. Këtu flasim për mbështetje që sigurohet nëpërmjet mbështetjes për trajtime dhe kompensime të veçanta që ka shkuar në 16.4 miliardë lekë në 2023-shin, nga 9.2 miliardë lekë që ishte në 2013. Për një pensionist kemi vetëm 1.19 kontribues. Në mënyrë që të kemi një mbulim më të mirë të skemës së kontributeve shoqërore duhet të rrisim numrin e kontribuesve. Jemi shumë afër kufirit kritik që është 1, ku ke një përfitues për një kontribuues ky raport duhet të jetë sa më i lartë“, deklaroi ajo./ata