Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado e cilësoi jetike sigurimin dhe pagimin e kontributeve mbi bazën e pagës reale.

Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të linjës, me bizneset për çështjen e pensioneve, Hado tha se, “deklarimi real i pagave është me rëndësi, pasi ai reflektohet më pas në skemën e sigurimeve shoqërore dhe në atë të pensioneve”.

“Sistemi i pensioneve që ne kemi zgjedhur të zbatojmë në vendin tonë, bazohet në parimet e solidaritetit, kontratës midis brezave dhe mënyra e financimit të tij, bazohet në pagesat që mbledhim në një muaj të caktuar, për të paguar pensionet e muajit, pra ne nuk akumulojmë fonde që të investojmë”, u shpreh Hado.

Ai tha se, mbledhja e kontributeve është jetike për ecurinë e pagimit të pensioneve.

“Mbledhja e kontributeve ka të bëj me shëndoshjen e financave të ISSH-së, por ka të bëj me jetën e qytetarëve që sot janë pensionistë. Më pak të ardhura do të thotë më pak pension dhe më shumë të ardhura do të thotë që ISSH dhe qeveria kanë mundësinë e bërjes së politikave të rritjes së pensioneve dhe dhënies së mbështetjes financiare për grupe të caktuara vunerabël”, theksoi Hado.

Sipas tij, mos deklarimi i kontributeve është me pasoja për të gjithë ata, që nesër kur të dalin në pension, do t’i çoj automatikisht në mungesë pensioni ose në pension më të ulët.

Hado u ndal në fenomenet që ndeshen sot.

“Nëndeklarimi i pagës. Qytetarët kanë një numër të shtuar ankesash, që thonë pse më ka dalë pensioni kaq i ulët dhe kur ballafaqohen me faktin që gjatë gjithë kohës kanë paguar me pagë minimale dhe nuk kanë paguar me pagë reale, është një çështje që nuk e zgjidh dot më. Dhe një pjesë e qytetarëve thonë qe ne nuk e dinim që na kanë paguar sigurimet me pagë joreale”, u shpreh Hado.

“Ka një problem të madh edhe sa i përket pensioneve të invaliditetit në rastet e mungesës së sigurimit apo nëndeklarimit të pagës. Pagat e ulëta që janë siguruar nga kompanitë i çojnë ata në pensione më të ulëta. Një problem tjetër është me gratë shtatzënë, që për shkak të deklarimit me një pagë të ulët, përfitojnë shumë pak nga pagesa e barrëlindjes, sepse janë të siguruara me pagë minimale që nuk mjafton për të mbajtur familjen”, u shpreh ai.

Hado tha se, një deklarim real i pagës për punonjësit është edhe në të mirën e kompanisë, sepse do të ndikojë në qarkullimin e ulët të stafit. Përmes portalit e- Albania çdo punonjës mund të kontrollojë në kohë reale a është i siguruar apo jo dhe sasinë e kontributeve të paguara.

Gjithashtu theksoi Hado, problem është edhe pagimi i kontributeve jo të rregullta, sa i takon profesionit dhe llojit të punës. Ka sektorë që iu është ulur mosha e pensionit e sipas tij, subjektet i deklarojnë kontributet me profesion tjetër dhe këto janë konflikte që i lënë punonjësit pa mbrojtje./ata