Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria është vendi me hapësirën më të madhe të lehtësive për bizneset në rajon”, ndërkohë që sipas tij i vetmi detyrim që kanë bizneset e vogla është pagesa e sigurimeve shoqërore.

Në një bashkëbisedim me bizneset për rëndësinë e deklarimit real të pagave, Rama u shpreh se synimi i qeverisë ishte stabilizimi i sistemit të taksimit për të çliruar komplet nga taksimi biznesin e vogël.

Rama tha se qeveria synoi ta bëjë këtë pa rritur taksa dhe zgjeruar bazën e kontributeve.

“Nuk ka asnjë vend në rajonin tonë ku biznesi i vogël të ketë zero taksë. Deri në xhiro 140 mijë euro biznesi nuk paguan taksë. Deri në 100 mijë euro xhiro nuk paguan as taksë, as TVSH. Kur ne morëm detyrën ishte 10% taksë mbi bizneset e vogla dhe TVSH sipër për ata që ishin 8 milionë lekë të reja xhiro. Ne kemi lënë një hapësirë totalisht të lirë dhe ajo që i kërkojmë biznesit të vogël është të paguajë vetëm sigurimet shoqërore”, tha Rama.

Ndërkohë sipas tij, “biznesi i madh ka vetëm 15% taksë të pandryshuar prej vitesh”.

“Por kur bëhen krahasimet dhe vihet Shqipëria në klasifikimet e pagave me rajonin, rajoni është shumë më afër pagës reale, ndërsa ne jemi shumë larg. Sepse pagat reale në Shqipëri janë njësoj si pagat në vendin më të zhvilluar të rajonit, që është Serbia. Por në deklarime dalim poshtë. Mirë që dalim poshtë në pasqyra, por faktikisht aty poshtë është një gropë ku mbijetojnë pensionistët. Kjo është pikëpamja e solidaritetit social. Një pikëpyetje shumë e madhe për kapacitetin tonë shoqëror për të qenë në lartësinë e solidaritetit social dhe kësaj pikëpyetje ne duhet t’i japim përgjigje me një mënyrë ose një tjetër”, tha Rama.

Rama tha se kur mori detyrën kjo qeveri i gjeti bizneset të rraskapitura nga goditjet, arbitrariteti dhe borxhet.

“E gjetëm shtetin të zhytur në një gropë që mund të kthehej në humnerë dhe me mbi 700 milionë euro borxhe. Pa llogaritur kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike që vetëm ajo më vete kishte një borxh sa mali i Dajtit”, tha Rama./ata