Indonezia ka dënuar ashpër sulmet dhe rrethimin në Rripin e Gazës duke thënë se sulmet e Izraelit që kanë shënjestruar Spitalin Indonezian në Gaza janë shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Në llogarinë e platformës së mediave sociale X të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indonezisë u dha një deklaratë në lidhje me sulmet e Izraelit që shënjestruan Spitalin Indonezian dhe Gazën.

"Indonezia dënon fuqishëm rrethimin dhe sulmet e Izraelit në veri të Gazës, të cilat kanë shkaktuar uri të madhe dhe vdekjen e shumë palestinezëve", thuhet në deklaratë.

Sulmet që shënjestrojnë objektet e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit e tyre, përfshirë Spitalin Indonezian në veri të Gazës janë shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar. Spitali, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe pacientët që marrin trajtim duhet të mbrohen pa përjashtim, thuhet më tej.

Gjithashtu në deklaratë i bëhet thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të ndërmarrë "hapa të vendosur" për t'i dhënë fund sulmeve të Izraelit.

Ushtria izraelite më 19 tetor goditi me tanke Spitalin Indonezian që ndodhet në qytetin Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës që e mban nën sulme dhe rrethim intensiv, ku si pasojë e sulmeve mbetën jashtë funksioni gjeneratorët.

Ushtria izraelite edhe dje i vendosi flakën duke e shënjestruar në mënyrë të drejtpërdrejtë Spitalin Indonezian./aa