Në një telefonatë me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, vlerësoi reagimin e Romës ndaj agresionit të Izraelit në rajon, duke theksuar përpjekjet e vendosura të Türkiyes për paqen në Lindjen e Mesme.

Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes njoftoi se presidenti turk gjithashtu i tha kryeministres italiane se mbështetja nga Roma do të forcojë dorën e Ankarasë në përpjekjet e OKB-së për të ndalur shitjet e armëve në Izrael.

“Presidenti Erdoğan theksoi rëndësinë e veprimit të komunitetit ndërkombëtar për të ndalur agresionin izraelit dhe theksoi se mbështetja e Italisë për iniciativën e Türkiyes në OKB për të ndalur shitjet e armëve në Izrael do ta forcojë këtë përpjekje”, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes.

Erdoğan dhe Meloni po ashtu diskutuan lidhjet dypalëshe, si dhe çështjet rajonale dhe globale.

“Presidenti Erdoğan deklaroi se marrëdhëniet Türkiye-Itali po përparojnë çdo ditë dhe theksoi se vëllimi i tregtisë dypalëshe mund të rritet përmes hapave vendimtare, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes dhe në fusha të tjera”, thuhet më tej në njoftim.

Siç theksoi presidenti turk, sulmet e Izraelit në territoret palestineze, përfshirë në Gaza, si dhe sulmet ndaj Libanit dhe paqeruajtësve të OKB-së janë “të papranueshme”.

“Presidenti Erdoğan deklaroi se Izraeli ka injoruar të gjitha paralajmërimet dhe ka zgjeruar ciklin e dhunës në Lindjen e Mesme”, theksoi drejtoria e komunikimeve.

Po ashtu në njoftim theksohet se presidenti turk falënderoi kryeministren italiane për qasjen e saj që mbështet konceptin e familjes, që thekson “vlerat familjare përballë përkrahësve të LGBT-së”./aa