Bizneset që operojnë përgjatë liqenit në qytetin e Pogradecit janë kundër vendosjes së impianteve të përpunimit të ujërave të zeza dhe atyre të përdorura.

Sipas operatorëve turistikë dhe bizneseve, këta sipërmarrës nuk duhet të përfshihen në aktin normativ për sa kohë impianti i përpunimit të ujërave të zeza dhe të përdorura që ka aktualisht Pogradeci përballon dyfishin e kapacitetit të sotëm.

Sipas operatorëve akti normativ nuk përjashton as bizneset e vogla që funksionojnë gjatë sezonit turistik.

Bizneset përgjatë vijës liqenore të Pogradecit kanë kërcënuar, së pari me mosblerjen e impianteve që variojnë nga 20 deri në 100 mijë euro dhe së dyti se do të shkojnë deri në mbylljen e aktivitetit.

Në fund të takimit operatorët turistikë i kanë drejtuar një peticion Kryeministrit, Kryetares së Parlamentit dhe Ministrisë së linjës./EuroNews