Qyteti i gurtë i Gjirokastrës gjatë këtij viti ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj.
Qendra muzeale e qytetit është destinacioni fillestar, pasi të gjithë turistët e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga mbrëmja në qytetin e gurtë, ku shihen dritat që ndriçojnë kalanë e zbresin nëpër kalldrëmet e pazarit.
“Ku dëgjohet italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht e spanjisht, ku takon shqiptarë të Kosovës, por edhe shtetas aziatikë, e ku pas çdo kthese të pjerrët shfaqet një tjetër pamje që të lë pa frymë, me jehonën e isos së këngëve të odasë së madhe, kështu mbyllet një ditë në Gjirokastër”, u shpreh Rama.
Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.
Ndër destinacionet më të preferuara për turistët janë Pazari karakteristik, kalaja e Argjiros, banesat karakteristike të Zekatëve, Skëndulajve, Parku Natyror i Viroit apo vlerat e trashëgimisë kulturore në njësitë administrative si Parku Arkeologjik i Antigonesë, objektet e kultit.
Gjatë këtij viti bashkia e Gjirokastrës ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike për promovimin e vlerave të folkut, traditës, etj.
Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./ata