Kërkesa e bizneseve për kredi u rrit në tremujorin e tretë të vitit 2024, kjo për arsye të nevojës së tyre për financimin e inventarëve të kapitalit qarkullues dhe realizimit të investimeve. Sipas bankave, niveli i përgjithshëm i normave të interesit dhe treguesi i besimit të biznesit mbështetën gjithashtu zgjerimin e kërkesës për hua.

Pavarësisht kësaj kërkese të lartë, bankat kanë miratuar më pak kredi të bizneseve. Faktorët që ndikuan në normën e lartë të refuzimit të huave ishin politikat e bankave lidhur me kolateralin dhe pasqyrat financiare të bizneseve.

Megjithatë, ndryshe nga individët, standardet e kreditimit për ndërmarrjet mbetën të pandryshuara në tremujorin e tretë të vitit 2024, si në kreditë për financimin e investimeve dhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet. Në bazë të madhësisë së biznesit, standardet u lehtësuan disi për segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, dhe u mbajtën të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh.

Për sa i përket kushteve dhe termave të përgjithshëm mbi kreditë e reja dhënë bizneseve, ato u lehtësuan në tremujorin e tretë. Lehtësimi i kushteve dhe termave të kreditimit në kreditë lëvruar biznesit të vogël e të mesëm, si dhe atij të madh, u arrit nëpërmjet aplikimit të marzheve më të ulëta mbi kreditë normale dhe shtimit të madhësisë së kredisë. Nga ana tjetër, bankat raportuan marzhe më të larta mbi kreditë me rrezik, si edhe shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë të nënshkruara me bizneset.

Por, si parashikohet të jetë kërkesa për kredi në muajt e mbetur të vitit?

Kërkesa për kredi e bizneseve pritet të rritet edhe në tremujorin e katërt të vitit, si në financimin e investimeve, ashtu edhe në mbulimin e nevojave për likuiditet. Edhe në terma të madhësisë së biznesit, kërkesa për kredi pritet të jetë më e lartë, si në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, ashtu edhe në segmentin e biznesit të madh./Scan