Hapja e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë për grup kapitullin e parë, do të japë efekt domethënës në nxitjen e investimeve të huaja në vend. Në një intervistë për SCAN, Zv.Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Endrit Yzeiraj, thekson se  tashmë vendi ynë e ka vulosur faktin se është një shtet i sigurtë dhe i qëndrueshëm për investime.

“Grupi themelor që ne hapëm javën e kaluar është grupi qe mbikqyr pikërisht institucionet, kërkon të sjellë zhvillimin institucional dhe mirëfunksionimin institucional të një vendi si Shqipëria, për ta përafruar atë me standardet e BE. Dhe nëse besojmë ashtu siç unë e besoj që institucionet janë vërtetë faktori i zhvillimit ekonomik afatgjatë, mesazhi që ne së bashku me KE po japim qoftë investitorëve dhe qytetarëve shqiptarë, qoftë qytetarëve dhe investitorëve të huaj që duan të vijnë në Shqipëri, është që ky është një vend i sigurt, me një rrugëtim të sigurt drejt BE, ku investimet e tyre, jeta e tyre, prona e tyre, janë të sigurta dhe do të marrin të gjithë mbrojtjen që merr një individ, një pronë, një investim edhe në BE. Besoj që ka një përgjigje të qarte, stampë sigurie të qartë, jo vetëm për sot por edhe për të ardhmen, që ky vend është në rrugën evropiane dhe do jetë drejt BE, së shpejti”,  u shpreh Yzeiraj.

Nga ana tjetër, nga ky proces, Shqipëria ka përfitime direkte financiare, por më së shumti qytetarët dhe bizneset kanë përfitime që lidhen me tregun e përbashkët Evropian.

“Përfitimi kryesor është mundësia për të qenë pjesë e tregut evropian, mundësia për të konkurruar lirshëm në tregun evropian dhe ndërlidhja ekonomike që bizneset dhe institucionet shqiptare do marrin, duke u përfshirë në zinxhirët evropianë. Është një proces nga i cili merren shumë njohuri, por është një proces nga i cili përfitohet edhe akses në të gjithë tregun evropian. Ky është përfitimi direkt, duke shtuar edhe stampën e aprovimit të një vendi që është i sigurt për të investuar”, tha ai.

Bashkimi Europian hapi negociatat me Shqipërinë për fushat dhe kapitujt themelorë, siç janë  funksionimi i institucioneve demokratike; reforma e administratës publike; Gjyqësori dhe të drejtat themelore; Drejtësia, liria dhe siguria; Kriteret ekonomike, Prokurimi publik; Statistikat dhe Kontrolli financiar./Scan