Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e konsideroi sot fitore për qytetarët vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin pjesërisht të ligjit për tatimin e profesioneve të lira.

Në një prononcim për mediet, Tabaku tha se nuk kishte bazë ligjore për të tatuar atë kategori.

“Pas paraqitjes së argumenteve dhe fakteve ne fituam sot një betejë për të gjithë këto profesione të lira. Në fituam një betejë, sepse Gjykata Kushtetuese sot doli me vendim që tatimi mbi profesionet e lira është antikushtetues, që i diskriminonte profesionet e lira. Për këtë arsye nuk ka asnjë bazë ligjore që ky tatim të trajtohet ndryshe për profesionet e lira. Kjo është një betejë e fituar e grupit parlamentar të PD, e profesionistëve të lirë, por më tepër është një betejë e fituar për qytetarët shqiptarë, për shtresën e mesme, për ata që punojnë me mundim dhe në mënyrë të padrejtë ishin duke u taksuar më shumë se çdo biznes tjetër”, tha Tabaku.

Tabaku tha se e konsideron këtë një fillim të mirë dhe për të treguar se sot duhet të kemi besim tek institucionet, tek politika si mjet ndryshimi, “por duhet të kemi edhe tek ajo rrugë që kemi nisur, që besoj është rruga e drejtë”.

Për ata që kanë paguar këtë taksë antikushtetuese, Tabaku u shpreh se pasi të zbardhet vendimi “do të përpiqemi të rregullojë çdo pasojë që do ketë tek ata që e kanë paguar”.

“Treguam se duke qenë në anën e shumicës dhe të punës, sot kemi arritur një rezultat pozitiv në sytë e shqiptarëve që një sistem i drejtë dhe që vlerëson punën mund të ngrihet dhe duhet të ngrihet. Shpresoj të jetë fillimi i shumë kauzave të tjera që do t’i çojmë deri në fund”, përfundoi Tabaku./ata