Në Vlorë ka nisur shembja e ndërtimeve pa leje, të cilat kanë bllokuar kanalet e ujërave të larta gjë që solli edhe përmbytjen në qytetin bregdetar në ditët e para të tetorit.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi inspektuan nga afër shembjen e ndërtimeve, që po kryhen nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit.

Dredha tha se “aty ku është abuzuar ndër vite me ndërtime me apo pa leje, apo jo sipas procedurave që kanë ligjet sa i përket urbanistikës, ne po i shikojmë me shumë vëmendje dhe do të fillojmë të ndërhyjmë, patjetër duke zbatuar edhe ligjet në fuqi. Po aty ku ne mundemi do fillojmë të bëjmë një prishje sepse realisht ndihmon edhe ato projekte që kemi në vazhdim”.

“Me shembjen e këtyre objekteve japim edhe një mesazh për të gjithë ata që pengojnë në mirëfunksionimin e këtij kanali ne do të marrim masa konkrete siç po veprojmë edhe sot”, theksoi Dredha.

Ndërsa Çuçi u shpreh se “bashkë me kryetarin Dredha pamë nga afër si po ecën aksioni për pastrimin e të gjithë territorit që shoqëron kanalin e ujërave të bardha nga ndërtimet pa leje”.

“Kanali ka qenë krejtësisht i bllokuar dhe ky ka qenë një shkaqet që ka sjellë edhe rëndimin e situatës sepse padiskutim me atë intensitet shirash sigurisht që mund të ishte e pa përballueshme, por situata u rëndua shumë edhe në sajë të bllokimit të kanalit kryesor nga ndërtimet pa leje. Kjo situatë duhet të marrë fund”, nënvizoi Çuçi.

Prej këtyre ndërtimeve ishte krijuar një bllokim, që solli rëndimin e situatës pas reshjeve intensive në ditët e para të tetorit. Puna do të vijojë me çdo ndërhyrje tjetër të domosdoshme edhe në hapësira të tjera të qytetit, për të mos pasur emergjenca si ajo që kaloi qyteti i Vlorës.

Përmbytjet që përfshinë Vlorën më 4 tetor sollën dëme të shumta në banesa dhe biznese, ndërsa rrugët u mbuluan nga uji. Konkretisht si pasojë e përmbytjeve nga reshjet e shiut u dëmtuan 323 banesa dhe 73 biznese./ata