Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj bëri të ditur sot se këtë vit akademik kemi mbi 10% të aplikimeve të maturantëve në një nga programet 2-vjeçare universitare.

“Kjo do të thotë që është një ecuri shumë e mirë, duke pasur parasysh që maturantët kërkojnë të punësohen shumë shpejt”, tha Xhelaj në një intervistë për mediet.

“Një program 2-vjeçar”, vijoi Xhelaj, “ta mundëson këtë duke qenë se janë programe të lidhura me tregun e punës, janë më të shkurtra në kohë dhe të mundësojnë praktikën gjatë studimeve 2-vjeçare, kështu që të lidhin  shumë shpejt me kompani të ndryshme, me tregun e punës”.

Sipas tij, shumica e maturantëve që kryejnë këto programe 2-vjeçare janë pothuajse të punësuar, në përfundim të këtyre studimeve.

“Një student nesër del në tregun e punës si mekanik, mekatronik, eletroteknik, hidraulik, specialist për sistemin e kondicionimit, Teknik IT, Web designer, ka edhe shumë programe IT-je 2-vjeçare, ka edhe degë që lidhen me sistemin shëndetësor, si ndihmës-mami, punonjëse e shërbimeve sociale pranë azileve etj. Gjithashtu ka programe që lidhen me sistemin bankar, që janë jo të nivelit ekonomist, por shërbimi në kasë, ndihmës-juristë pranë zyrave juridike, kanë të bëjnë me sistemin e hoteleri-turizmit, etj”, nënvizoi Xhelaj.

Po ashtu, shtoi ai, në Durrës dhe Vlorë ku ka porte dhe janë të fokusuar në këto drejtime ka programe të ndryshme teknike që kanë të bëjnë me marinën.

“Në fund të fundit është një diplomë universitare që të ofron direkt një mundësi punësimi në tregun e punës”, tha Xhelaj.

Në vendin tonë programet 2-vjeçare universitare ekzistojnë prej gati 10 vjetësh. Vitet e fundit maturantët po u drejtohen përherë e më shumë këtyre programeve që iu mundësojnë punësim të shpejtë ne treg./ata