Presidenti i Kinës, Xi Jinping ka bërë thirrje për një "de-përshkallëzim" midis Rusisë dhe Ukrainës, pasi lufta midis dy vendeve ka gati tre vjet që vazhdon.

Duke u adresuar në një seancë me dyer të mbyllura të liderëve të vendeve anëtare të grupit BRICS, që po mbahet në qytetin rus Kazan, presidenti kinez gjithashtu bëri thirrje për armëpushim në Gaza dhe Liban në mes të bombardimeve ajrore nga Izraeli.

Samiti i kryesuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, filloi me një fjalim drejtuar liderëve të grupit BRICS, përfshirë atë të Egjiptit, Etiopisë, Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilët po marrin pjesë në samit për herë të parë pas anëtarësimit zyrtar të tyre në muajin janar.

Xi tha se Rusia dhe Ukraina duhet të mbështetin "tre parime për të mos zgjeruar fushën e betejës, pa përshkallëzim të luftimeve dhe pa asnjë provokim nga asnjëra palë, si dhe për të punuar për de-përshkallëzimin sa më parë të krizës në Ukrainë".

Rusia nisi operacion special ushtarak kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Qindra njerëz janë vrarë, ndërsa miliona janë zhvendosur që atëherë. Ndërkohë, bombardimet e vazhdueshme ajrore dhe ofensiva tokësore nga Izraeli brenda enklavës palestineze të Gazës dhe në Libanin fqinj ka vrarë mbi 44 mijë njerëz që nga tetori i vitit të kaluar./aa