Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Tiranë tha se Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë në Bashkimin Europian. Gjatë fjalës së saj në konferencën për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Von der Leyen nënvizoi se hapja e negociatave për Shqipërinë ishte sukses i një pune prej shumë vitesh dhe se vendi ynë tregoi vizion, ndërsa shtoi se zgjerimi i Bashkimit Europian do të jetë përparësi në mandatin e saj të ri.

“Jam më të vertetë shumë e lumtur që jam në Tiranë dhe jam tejet e gëzuar të shoh se sa shumë ka arritur Shqipëria në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Javën e fundit ne hapëm negociatat për grup-kapitujt e çështjeve themelore.

Çfarë suksesi ky, që vjen pas shumë vitesh dhe me shumë punë. Keni treguar vizion dhe durim dhe këto po tregojnë rezultatet e tyre. Falenderoj të gjithë ata që kanë punuar ditë e natë për këto që janë arritur Të jini të sigurt se zgjerimi do të vijojë të jetë edhe në mandatin tim të ardhshëm përparësi e lartë”, u shpreh Von der Leyen.

Duke u ndalur te Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, presidentja e Komisionit Europian tha se Shqipëria do të marrë mbi 920 milionë euro nga Plani i Rritjes.

“E para ka të bëjë me planin tonë të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ju e dini qasjen që ne kemi. Ne e hapëm derën tonë të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Pra kompanitë e Ballkanit Perëndimor në sektorë të caktuar por edhe partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po vënë në zbatim reforma të rëndësishme dhe këta reforma mbështeten nga ne me anën e investimeve shtesë evropiane.

Tashmë ka një vit që ka filluar puna dhe shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë gati axhendën e reformave dhe Shqipëria është një prej këtyre vendeve. I dashur Edi, Ju dhe ekipi Juaj keni bërë një punë të shkëlqyer për axhendën e Reformave. Tani duhet të fillojmë edhe më parafinancimin 64 milionë euro deri në fund të vitit. Gjithsej Shqipëria do të marrë më shumë se 920 milionë euro nga Plani i Rritjes”, tha Von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Europian tha se Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë zonës unike të pagesave të euros.

“Ju jeni në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e zonës unike të pagesave të Euro që prej vitit të ardhshëm. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që transfertat në para ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së do të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe falas. Një përfitim shumë i madh si për qytetarët dhe për bizneset”, tha Von der Leyen.

Von der Leyen foli edhe për planet e BE-së për investimet me fokus energjinë e rinovueshme. Ajo e cilësoi Shqipërinë si “lider në këtë fushë”.

“Nisma e dytë është plani ynë i investimeve për Ballkanin Perëndimor. Punën për këtë plan investimesh e kemi filluar katër vite më parë. Në Shqipëri me anën e këtij plani janë mobilizuar investime prej 1.4 miliardë eurosh, me fokus të fortë tek tranzicioni drejt energjisë së pastër.

Për Shqipërinë kjo nuk do të jetë sfidë e madhe, pasi ju jeni lider në këtë fushë, ne po punojmë me ju për projekte që mund ta fuqizojnë këtë lidership që ju keni në këtë fushë, në fushën e energjisë së rinovueshme. Ne kemi hidrocentralin e Vaut të Dejës mbi lumin Drin, me energji diellore, i pari i këtij lloji në rajon.

Gjithashtu po investojmë edhe për transportin e pastër për të arritur lidhje me të mira brenda për brenda vetë rajonit dhe Europës, përfshirë këtu linjën hekurudhore të Shqipërisë me BE-në. Po ashtu edhe planet për sistemin e parë të autobusëve elektrikë për Tiranën”, u shpreh Von der Leyen.

Von der Leyen u ndal edhe tek hapja e Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, për të cilin u shpreh se e ardhmja e BE-së po formësohet në vendin tonë.

“Çështja e tretë është një projekt tjetër i veçantë, dhe fjalën e kam për Kampusin e Kolegjit të Europës.  Ju e patët këtë ide të shkëlqyer, i dashur Edi, para dy vitesh. Ne zyrtarisht do të hapim vitin akademik për grupin e parë të studentëve të Kolegjit të Europës në Tiranë. Këta të rinj janë udhëheqësit e ardhshëm të Evropës. Kjo do të thotë se e ardhmja e BE-së po formësohet këtu në Tiranë më këta të rinj”, tha presidentja e Komisionit të Europës./ata