Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi sot se KE bashkëpunon me qeverinë shqiptare për reformën në sistemin gjyqësor, por se ky bashkëpunim nuk kishte të bënte me çështje individuale, kur u pyet për arrestimin e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mesditën e 21 tetorit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, nga Tirana, Ursula von der Leyen u shpreh se nuk do të bënte komente për procedime gjyqësore.

“Unë nuk do të bëj komente për procedime gjyqësore. Ne bashkëpunojmë me Shqipërinë për reformën gjyqësore, por kjo nuk ka të bëjë me çështje individuale”, tha ajo.

E pyetur mbi një afat konkret për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, presidentja e KE-së, tha se gjërat kanë ecur shpejt dhe në rast se gjërat ecin siç duhet, ndoshta do të hapen të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm.

“Procesi varet nga meritat e çdo vendi. Është shumë e rëndësishme kjo edhe për shtetet anëtare. Këtu me Shqipërinë kemi një një shembull të shkëlqyer. Gjërat kanë ecur shpejt dhe në rast se gjërat ecin siç duhet, ne ndoshta do të hapim të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm. Pra është një plan ambicioz. Do të ketë nevojë për shumë punë. Ndaj është e arsyeshme të mos kemi një datë të saktë, por që duhet bërë e gjithë puna për tu bërë shtet anëtar dhe ky proces varet nga merita e çdo vendi”, deklaroi presidentja e KE-së Ursula von der Leyen./ata