Ministri i Mjedisit dhe Energjisë, Blendi Gonxhja, njofton emërimin e Enkelejd Musabelliut si zëvendësministër i MEKI-t.

Ministri Gonxhja në një postim në rrjetet sociale, u shpreh se “Musabelliu është një ekonomist politik me përvojë të gjatë në çështjet e zhvillimit ekonomik, planifikimit strategjik dhe politikave sociale. Ai ka një karrierë të spikatur në sektorin publik, duke kontribuar si në institucionet qendrore, ashtu edhe në ato vendore, si dhe ka shërbyer si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të disa institucioneve publike.

Në periudhën 2018-2024, ai ka vepruar si konsulent për organizata ndërkombëtare dhe institucione publike, me fokus të veçantë në planifikimin strategjik dhe pushtetin vendor. Përveç kësaj, Musabelliu ka punuar edhe në sektorin privat, duke ofruar ekspertizë për studime fizibiliteti dhe projekte investimesh në energjitikë, turizëm dhe infrastrukturë”.

“Gjatë periudhës 2015-2018, ai ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë e Tiranës, ku ishte përgjegjës për zhvillimin ekonomik vendor, zhvillimin rural, planifikimin strategjik, menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe ngritjen e sistemit të statistikave. Më herët, gjatë viteve 2013-2015, ai ka mbajtur pozicionin e Këshilltarit të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, duke kontribuar kryesisht në reformën e pensioneve të vitit 2014”, bën të ditur Gonxhja.

Enkelejd Musabelliu ka përfunduar studimet në Filozofi në Universitetin e Tiranës dhe në Ekonomi Politike Europiane në London School of Economics, Mbretëria e Bashkuar./ata