Kryeministri Edi Rama mikpriti dje në Tiranë, presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, e cila nisi turin e saj ballkanik.

Kryeministri Rama ndau Fotoalbumin e vizitës së presidentes së Von der Leyen.

“Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen dje në Tiranë, në nisje të turit të saj ballkanik nga Shqipëria e ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Pas takimit me tyre, kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp ku u konfirmuan përpjekjet që Shqipëria i ka demonstruar për realizimin e të gjitha detyrave që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE, por dhe qëndrueshmëri në aspektin e afirmimit të gjithë parimeve, vlerave që bashkojnë këtë komunitet vendesh dhe popujsh të Europës.

Presidentja Von der Leyen tha se ekipi shqiptar negociator ka bërë një punë të shkëlqyer për agjendën e reformave.

“Tani duhet të fillojmë edhe me parafinancimin prej 64 milion eurosh deri në fund të vitit. Pra, cilësia e planit të reformave është e mirë, kështu që edhe këtë vizion e kemi të qartë. Gjithsej Shqipëria do të marrë më shumë se 920 milion euro nga plani i rritjes. Plani i Rritjes do të sjellë edhe rezultatet konkrete të tjera”, tha ajo.

Po dje pasdite, kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, morën pjesë në ceremoninë hapëse të vitit të parë akademik, të Kolegjit të Europës në Tiranë, në kampusin, i cili mban emrin e politikanit të shquar francez, ish President i Komisionit Europian, Jacques Delors.

Hapja e kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, është një tjetër gurthemeli në rrugëtimin e përafrimit me standardet europiane, pasi ngre në një tjetër nivel sfidën për ndërkombëtarizimin e universiteteve tona dhe hap sigurisht, një horizont të ri edukimi për të rinjtë tanë./ata