Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se qeveria është në proces të lidhjes së kontratave për ndërtimin e Korridorit Blu, të cilën e cilësoi aksin më vital për ekonominë e vendit.

 

I ftuar në një emision televiziv, Rama tha se ai është aksi më i ngarkuar dhe më vital për ekonominë dhe turizmin e vendit.

 

“Bën një lidhje shumë të rëndësishme me Kosovën por edhe me unazën turistike të Europës duke shkuar në Muriqan e duke u lidhur me Malin e Zi. Është Korridori Blu. Ne e kemi filluar me Thumanë-Kashar dhe ndërkohë janë bërë garat, janë lidhur kontratat për Kashar-Lekaj pastaj Lekaj-Fier. Shkon gjithë rruga drejt në Fier që lidhet pastaj me Vlorën”, tha Rama.

 

Ndërkohë, ai shtoi se lart është edhe segmenti Milot-Balldren dhe segmenti i Muriqanit, që  është segmenti i fundit i pambuluar me financim dhe kontraktim.

 

“Po bëhet një projekt ku do të bazohemi te fondet tona, sepse nuk ka fizibilitet për t’u bërë me privatin”, tha Rama.