Intervistë me Leoluca Orlando, Europarlamentarin Italian i Grupit "Aleanca Evropiane e Të Gjelbërit", anëtar i Komisionit Europarlamentar të Çështjeve të Jashtme e anëtar i Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Bashkimit Evropian për Mesdheun dhe një nga firmëtarët e kërkesës së dorëzuar në kryesinë e Parlamentit Evropian për një interpelancë mbi marrëveshjen e emigracionit mes Melonit e Ramës.

Në këtë intervistë për "Syri TV" ai komenton këtë pakt, kampet në Shqipëri si dhe raportin e fundit të Këshillit të Evropës mbi Italinë ku këshillohet të reflektohet mbi sjelljet raciste e intolerante të forcave të rendit e të politikës në debatet publike mbi emigrantët e të huajt.

“Evropa humbet cdo dekadë 20 milionë banorë e përmes Detit Mesdhe hyjnë në territorin e saj 1 milionë emigrantë, shumë prej të cilëve mbeten viktimë në det.”

"Dy - tre muaj qëndrim në Shqipëri kosto e një emigranti shkon 64 mijë euro për Italinë."

"Numri 2 i shtetit italian një kryetar i dhomës së Senatit mban në zyrën e tij bustin e Musolinit, A nuk është kjo pyetja që Ministri i Brendshëm italian duhet t'i jap përgjigje në vend që të kërkojë nga Këshilli i Europës të gjykoj emigrantët?"

Europarlamentari Leoluca Orlando: Ne jemi për respektin e të drejtave të emigrantëve. Për fat të keq disa vende anëtare të BE kanë ndaj emigrantëve një mosbesim të thellë, duke e konsideruar të drejtën e tyre për të zgjedhur ku të jetojnë si një pushtim. E nga ky këndvështrim unë jam totalisht kundër kësaj qasje. Ne jemi kundër konsiderimit të emigrantëve si rrezik. Në dhjetë vitet e fundit kanë tentuar të kalojnë Mesdheun 1 milionë emigrantë, Në dhjetë vitet e fundit Europa ka humbur 10 milionë banorë e në dhjetë vitet e fundit janë rreth 30 mijë emigrantë që kanë humbur jetën gjatë kalimit të detit në kërkim të brigjeve europiane e shumë të tjerë janë nën det të pagjetur kurrë. Duhet t'i japim fund leximit të gabuar të këtij realiteti e gjetjes së zgjidhjeve të gabuara. Ne jemi kundër mandantit të Frontex për të prapsur emigrantët, ne jemi kundër pakteve që BE e qeveria Italiane bëjnë me Libinë, Tunizinë e Shqipërinë. Dergimi i emigrantëve në vende të treta është kundër normativës europiane. Llogaritë tona për marrëveshjen e kushtueshme që Italia ka bërë me Shqipërinë e që shkon mbi 800 milionë euro, i shtojmë  një kosto të deshifrueshme për qëndrimin e secilit prej tyre për 2 -3 muaj të paktën në CPR (Qendër qëndrimi për riatdhesim) e Gjandrit. Është rreth 64 mijë euro për çdo emigrantë. Një skandal jo vetëm mungesë respekti ndaj statusit të emigrantit por dhe mjaft e kushtueshme. E për më tepër një shkelje e normativës italiane e evropiane pasi emigrantët nuk janë një pako që mund të dërgohen me postë. Kjo qeveri ka një obsesion kundër emigrantëve duke i etiketuar si të rrezikshëm të gjithë e kjo është e papranueshme dhe jo njerëzore.

Alba Kepi: Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi sapo ka deklaruar se ka urdhëruar Avokatinë e Shtetit të përgatisi dokumentet për një rekurs ndaj vendimit të Gjykatës së Romës që vendosi kthimin pas të 12 emigrantëve të dërguar në Shqipëri. Nga këndvështrimi praktik çfarë mund të ndodh pas kësaj?

Europarlamentari Leoluca Orlando: Nuk komentoj vendimet e marra nga magjistratura italiane. Si jurist mund të them se vendimi i Gjykatës së Romës është i kuptueshëm sepse bazohet në mungesën e respektit të procedurave të përcaktuara e që Qeveria italiane nuk i respektoi. E shkon më tej duke hartuar një ligj që i klasifikon vendet të sigurta e jo të sigurta duke injoruar se kjo gjë i përket ta bëj Bashkimi Evropian.

Alba Kepi: Disa herë KM Meloni ka theksuar se idea e saj mbi Modelin Shqipëria për zgjidhjen e krizës së emigrantëve, mbështetet nga 15 vende anëtare e nga vetë institucionet evropiane. A është vërtetë kështu? y është perceptimi që vjen dhe nga Strazburgu ku ju ndodheni sot?

Europarlamentari Leoluca Orlando: Natyrisht sovranistë si Orban e Le Pen mbështesin këtë model. Por ne po flasim për shkelje ligji e jo mbështetje politike. Ne mendojmë se ka një shkelje ligjore, se Italia ka shkelur ligjin, pretendojmë që në një vend civil një qënie njerëzore të mos nënshtrohet në regjim burgimi personal pa një vendim gjyqi.

Kërkojmë respektimin e ligjit e të procedurave gjyqësore.

Alba Kepi: Ju keni qenë për shumë vite dhe kryetar i Bashkisë së Palermos ku problematika e emigracionit ishte e është temë kryesore e aktualitetit. Mendoni se marrëveshja Meloni-Rama con në zgjidhjen e kësaj krize?

Europarlamentari Leoluca Orlando: Absolutisht jo e mendojmë se sjell zgjidhje që krijojnë probleme të tjera. Mjaft të mendosh atë çfarë ndodhi me anijen ushtarake që solli emigrantët në Shqipëri e më pas u desh të rikthehen në Itali. Palermo është një qytet mikpritës sot. Kemi aprovuar Kartën e Palermos që vendos se lëvizja e çdo qenie njerëzore është një e drejtë universale. kemi ngritur Konsultën e Kulturës ku marrin pjesë në administrimin e qytetit dhe emigrantë që nuk janë shtetas italianë, kemi promovuar dialogun ndërfetar sepse konsiderojmë se jemi një komunitet i vetëm, pavarësisht kombësive. Palermo është një qytet turistik sot me 10 milionë vizitorë në vit e jo më një qytet i drejtuar nga mafia.

Alba Kepi: Si është e mundur që Italia, politika e qeveritë italiane gjatë këtyre vite  nuk kanë mundur të zhdukin ekzistencën e qendrave CPR , qendra burgimi me pak fjalë? Janë 8  të tilla në Itali dhe e nënta është ndërtuar në Gjadër, Shqipëri?

Europarlamentari Leoluca Orlando: Janë burgje ku privohen të drejtat njerëzore. Në Palermo i kam kundërshtuar e nuk pranuar ndërtimin e tyre. Emigranti është qenie njerëzore si italiani, palermitani, lombardi. Bashkimi Evropian lindi për të rrëzuar muret e urrejtjes e të luftës.

Alba Kepi: Një koment i juaji mbi raportin e fundit të Këshillit të Evropës që kritikon Italinë mbi sjellje raciste e intoleruese të politikës e policisë italiane.

Eurparlamentari Leoluca Orlando: Duhet të dallojmë gjithmonë se ka dhe fenomene negative e nuk mund ta mohojmë si ka dhe fenomene pozitive. Ky lajm ka përcjellë këtë fenomen negativ. Ka punonjës rendi që kryejnë punën e tyre mjaft mirë por ka pasur dhe episode racizmi, pa dyshim, por problemi është se çfarë duhet bërë që këto fenomene të mos vijojnë e çfarë duhet bërë për të ndalur racizmin, Këshilli i Evropës fton të mos kemi fenomene të tilla negative. Në Itali numri 2 i shtetit, Kryetari i Dhomës së Senatit Ignazo La Russa mban me krenari në studion e tij bustin e Musolinit (Duces). E kur ndodh një gje e tillë çfarë shembulli sjell? Shtyn për të menduar se po vlerëson se Musolini ishte një qeveritar i mirë e se fashizmi nuk ishte një diktaturë mizore që shkaktoi viktima e të vdekur,  por një qeverisje si gjithë të tjerat. Ministri i Brendshëm italian i kërkon Këshillit të Evropës të gjykojë korrektësisht emigrantët. E pyes çfarë mendon Ministri i Brendshëm që numri i 2 i shtetit italian mban bustin e Musolinit, bustin e një diktatori në studion e tij? / OraNews