Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier.

42-vjeçari Altjon Sulejmani, tashmë i arrestuar, akuzohet se i ka vënë flakën banesës së prindërve të moshuar në lagjen “15 Tetori”.

Policia thotë se nga hetimet paraprake, rezulton se 42-vjeçari i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, më pas i ka mbyllur dyert në mënyrë që të mos dilnin dhe është larguar.

Romeo Mersini, një i ri që ka ndërhyrë për t’i shpëtuar të moshuarit nga flakët, tregon se ata i kanë thënë që djali ka spërkatur bombulën e gazit me benzinë.

“U ktheva nga puna, më thotë xhaxhi “o Romeo, ndihmë”. U futa midis zjarrit. Shkova i ndihmova unë, e di gjithë lagjia. Unë shkova i nxora. U futa mes zjarrit, nuk mund të hynte shteti se kishte shumë zjarr. Unë e fika me kova uji, më ndihmuan dhe komshinjtë. Nxora një herë babanë te ballkoni, poastaj e nxora zonjën megjithë shtetin. Debatova me zjarrfikësen. I thosha “hyni brenda”, talleshin me mua".

Çifti i të moshuare ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve.

Dyshohet se zjarri u vu nga djali i tyre 42-vjeçar, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe tashmë është i arrestuar./OraNews