Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Operacionalja 19”, duke arrestuar një shtetase 45-vjeçare, e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

Shtetasja me inicialet E. Sh., e lindur dhe banuese në Durrës, akuzohet për pjesëmarrje në një organizatë kriminale në Itali dhe trafikim të lëndëve narkotike. Ajo u kap falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe u arrestua me qëllim ekstradimi.

Gjykata e Bolonjës i ka caktuar shtetases masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikim narkotikësh”. Policia shqiptare, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e saj në Itali./ata