Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dërgoi sot për konsultim publik  projektvendimin për programin e edukimit të zgjedhësve nga jashtë.

Programi për informimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin e zgjedhësve jashtë vendit për
zgjedhjet për Kuvendin 2025 përcakton objektivat dhe hapat konkrete që do të ndërmerren
për realizimin e procesit të votimit nga shtetasit me të drejtë vote, të cilët në ditën e
zgjedhjeve ndodhen jashtë vendit.

Duke qenë se procesi i votimit nga jashtë vendit zhvillohet për herë të parë, programi për
edukimin e zgjedhësve jashtë vendit synon të ndërgjegjësojë qytetarët shqiptarë për rëndësinë e votës së tyre në përzgjedhjen e anëtarëve të organit më të lartë qeverisës, përmes informimit dhe edukimit të tyre për votimin me sukses në këto zgjedhje.

Në mënyrë specifike programi ka si qëllim të informojë këtë kategori votuesish në lidhje me
mundësinë dhe rëndësinë për të votuar, t’i edukojë për procesin e votimit, duke filluar me
procedurën e regjistrimit për të qenë votues.

Po ashtu synohet informimi dhe edukimi i zgjedhësit mbi verifikimin e emrit në listën e zgjedhësve nga jashtë vendit, informimi se si do t’u dërgohet fleta e votimit, plotësimi korrekt i saj si dhe afatet se ku dhe kur duhet të dërgohet fleta e votimit.

Votuesit do të informohen po ashtu edhe për mënyrën se si do të numërohet dhe si do të llogaritet vota e tyre në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse.

Për realizimin e programeve ndërgjegjësuese dhe edukuese, KQZ-ja do të bashkëpunojë me partnerët vendas dhe ndërkombëtarë, përfshirë shoqërinë civile.

Përfshirja e tyre në realizimin e këtyre programeve përmes ekspertizës, kontributit dhe mbështetjes vlerësohen si komponentë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e këtij operacioni, i cili jo vetëm zhvillohet për herë të parë, por synon të mos përjashtojë asnjë shtetas që shpreh dëshirën për të votuar nga jashtë vendit, pavarësisht vendndodhjes gjeografike./ata