Ministri i Financave Petrit Malaj mori pjesë në ministerialin e organizuar nga Banka Botërore për rritjen e efektivitetit të projekteve të zhvillimit, që u zhvillua në kuadër të mbledhjeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington, SHBA.

Në ministerial u propozuan dy iniciativa të reja për të përshpejtuar zbatimin dhe impaktin e projekteve.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, iniciativa e parë ka të bëjë me mobilizimin e granteve për përgatitjen e projekteve pa rënduar borxhin publik, duke përmirësuar kohën e përgatitjes dhe cilësinë.

Propozimi i dytë është ngritja e një akademie për të rritur kapacitetin e punonjësve të administratës për të menaxhuar projekte të ndryshme.

Nga ana e saj, Ministria e Financave mbështeti këto inciativa të dobishme për përmirësimin e zbatimit të projekteve dhe theksoi hapat e ndjekura nga qeveria shqiptare.

“E para ka të bëjë me përputhjen më të mirë të propozimeve të investimeve me Programin Buxhetor Afatmesëm dhe e dyta me përmirësimin e proceseve të prokurimit, mundësisht duke përdorur Inteligjencën Artificiale”, bëri të ditur MF-ja./ata