Turistët e shumtë që vizitojnë Shqipërinë zgjedhin përveç detit edhe freskinë e maleve për një përvojë fantastike.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga qafa e pakonkurrueshme e Valbonës, e vizituar këtë sezon si asnjëherë më parë nga turistë.

Qafa e Valbonës është shteg epik për krejt Alpet Shqiptare i kërkuar dhe përshkuar nga shumë udhëtarë shqiptarë e të huaj, tashmë në çdo stinë të vitit.

E vendosur në një lartësi 1759 m mbi nivelin e detit, ajo rrethohet nga maja të tjera më të larta si maja e Alisë, maja e Hekurave etj.

Shtegu i kalimit këmbësor fillon në lagjen Gjelaj, në fshatin Rragam të Shalës. Kalimi i Qafës mund të bëhet nga të dyja krahët, Valbonë – Theth apo Theth – Valbonë, por nga Valbona itinerari është më i lehtë.

Ecja drejt Qafës së Valbonës mund të fillojë nga bujtina në luginë apo nga fillimi i shtegut në Gjelaj të Valbonës ose Gjelaj të Thethit. Për të kursyer kohë mund të sigurohet një transferte lokale nga bujtina deri në fillimin e shtegut të shënuar.

Qafa e Valbonës mund të arrihet në 2.5 – 3 orë, bashkë me ndalesat, nga cilido krah. Në total ky shteg merr 6-7 orë ecje./ata