Ministri i Financave Petrit Malaj mori pjesë në Takimet Vjetore të Vjeshtës në Uashington, SHBA.

Malaj zhvilloi një takim me drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, Matteo Bugamelli, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet më të fundit të ekonomisë shqiptare.

“Së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko prezantuam zhvillimet më të fundit të ekonomisë shqiptare, rritjen pozitive të saj dhe kontributin e ndjeshëm që po jep turizmi, si një nga sektorët tanë prioritarë”, tha ministri Malaj.

Ministri vuri në dukej se, gjatë takimit u vlerësuan balancat fiskale që vijojnë të jenë të qëndrueshme, ndërsa po punohet për konsolidimin e tyre.

Nga ana tjetër Bugamelli vlerësoi reformat që po ndërmerr Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit me çeljen e grup-kapitujve “Themeloret”, si dhe përmirësimin e vlerësimit të agjencisë ndërkombëtare Moody’s.

Malaj vlerësoi bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare, teksa u shpreh se për qeverinë shqiptare Banka Botërore mbetet një partner i rëndësishëm dhe mbështetëse e fortë për zhvillimin e ekonomisë, në të gjitha fushat prioritare./ata