Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) kanë përmbyllur me sukses, Samitin Parlamentar “Rruga drejt sistemeve gjithëpërfshirëse dhe fleksible agro-ushqimore”, në të cilin morën pjesë kryetarë të komisioneve parlamentare për bujqësinë dhe ushqimin të Europës dhe Azisë Qendrore.

Kuvendi i Shqipërisë përfaqësohej në këtë samit, i pari i këtij niveli organizuar në vendin tonë, nga Arben Pëllumbi, kryetar i komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dhe dy deputetët e këtij komisioni: Edona Bilali dhe Fadil Nasufi. Në samit morën pjesë përfaqësues të 22 vendeve, duke dëshmuar rëndësinë dhe angazhimin për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme.

Samiti u përshëndet nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, si edhe nga Raimund Jehle, Drejtues i Programit Rajonal, Zyra Rajonale e FAO-s për Evropën dhe Azinë Qendrore, dhe Martin Chungong, Sekretari i Përgjithshëm i Unionit Ndërparlamentar.

Në panelet e ndryshme përgjatë dy ditëve, u diskutua dhe u shkëmben mendime mbi sfidat me të cilat përballet transformimi aktual i sistemeve ushqimore; perspektivat mbi sigurinë ushqimore; politikat kombëtare për transformimin e sistemeve agroushqimore; roli i parlamenteve dhe iniciativave legjislative për të adresuar sfidat me të cilat ballafaqohen sistemet agroushqimore; bujqësia digjitale dhe zhvillimi i zinxhirit të vlerës; nxitja e një mjedisi të favorshëm për investime të përgjegjshëm në bujqësi, etj.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e ndërlidhjes mes komisioneve parlamentare, për të siguruar që buxhetet përkatëse të jenë përgjegjëse për objektivat e parashikuara, si dhe roli i parlamenteve, rrjeteve parlamentare dhe anëtarëve të parlamenteve në mbështetjen dhe zbatimin e nismave të qëndrueshme të sistemeve agroushqimore./ata