Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja u bëri thirrje sot qytetarëve në marrëdhënie pune që të mos pranojnë të jenë të nëndeklaruar, apo të punojnë të pasiguruar.

Ndërsa autoritetet e larta qeveritare së bashku me Kryeministrin Edi Rama kanë nisur bashkëbisedim me grupet e interesit për rëndësinë e deklarimit real të pagave, që refektohet më pas në skemën e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve, Gonxhja u shpreh sot se do të ketë tolerancë zero ndaj informalitetit.

“Planifikimi i inspektimeve nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore me bazë risku ka sjellë përmirësime të ndjeshme, duke identifikuar një rritje prej 29% të punëmarrësve informalë gjatë proceseve inspektuese, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Janë futur në skemë 1984 punëmarrës informalë, nëpërmjet masës urgjente “Pezullim Aktiviteti”, duke kontribuar direkt në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me një vlerë minimale prej 22,141,440 lekë pas deklarimit në buxhet”, informoi Gonxhja.

Ministri theksoi se çdo formë pune jashtë skemës së sigurimeve është abuzim që duhet denoncuar./ata