Kombëtarja shqiptare e vajzave do të luajë nesër takimin e parë ndaj Norvegjisë, e vlefshme për raundin e parë të play-off-it për Evropianin “Zvicër 2025”.

Takimi do të luhet në ora 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Në prag të kësaj sfide shumë të rëndësishme për Kombëtaren kuqezi, trajneri Armir Grima dhe kapitenia e ekipit, Megi Doçi dolën pasditen e sotme në një konferencë zyrtare për mediet në Shkodër.

Trajneri Grima theksoi në fjalën e tij se, Norvegjia është një ekip i vështirë, por Shqipëria e tij do të japë maksimumin në fushë dhe do të bëjë një paraqitje të mirë.

Pavarësisht mungesave në skuadër, tekniku kuqezi beson te skuadra e tij, ndërsa flet edhe për elementet e reja që i janë bashkuar ekipit në këtë grumbullim. Në fund, trajneri Grima ka edhe një thirrje për tifozët e Kombëtares.

“Është e vështirë. Norvegjia është një ekip i fortë për çdo skuadër të Evropës, jo vetëm për ne si Shqipëri. Por ne do të bëjmë përpjekjet tona, do të japim maksimumin tonë dhe besoj se do të bëjmë një paraqitje të mirë”, tha Grima.

Trajneri u shpreh se ka mungesa në skuadër.

“Ka mungesa, por unë jam shumë besimplotë te grupi i vajzave që kam dhe besoj që edhe ato do e justifikojnë maksimalisht këtë besim. Ndeshjet në këtë fazë janë, janë të rëndësishme. Për ne është një nivel i lartë ku po luajmë dhe fillimi i mbarë, është pjesë e vazhdimit të punës”.

Ai i bëri edhe një thirrje tifozëve.

“Tifozeria shkodrane nuk do të na zhgënjejë dhe jam i bindur që do të na ndjekin. Edhe në ndeshjet e tjera që kemi luajtur këtu, kemi pasur mbështetjen e tyre dhe janë suport i mirë për ne dhe një motivim i madh të luash para tyre në Shkodër”, u shpreh ai.

Ndërsa kapitenia Megi Doçi vlerësoi ekipin e Norvegjisë, por theksoi se asgjë nuk është e pamundur në futboll.

Kapitenia kuqezi ftoi të gjithë tifozët që ta mbështesin ekipin Kombëtar nga shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.

“Ndeshjen po e presim me emocion, duke pasur parasysh që jemi kualifikuar si të parët nga grupi. Për ne ishte një arritje, sepse dita ditës po rritemi si ekip Kombëtar. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme. E dimë se çfarë ekipi kemi përballë. Kemi luajtur më parë me Norvegjinë dhe e dimë se ka shumë cilësi si ekip. Kemi besim dhe me sakrificë e dëshirë do të japim gjithçka në fushë. Të japim më të mirën”, tha ajo.

“Realisht nesër do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pasi ekipi që kemi përballë është shumë i fortë. Dëshira ime për të shënuar nuk do të mungojë asnjëherë, por dëshira ime më e madhe është që të jap më të mirën për ekipin duke qenë se unë udhëheq ekipin në fushën e lojës. Besoj që vajzat do të japin më të mirën në fushë, janë të motivuara maksimalisht. Vajzat e presin me emocion këtë ndeshje për të dhënë më të mirë në fushë, pasi ndaj këtyre ekipeve gjithsecila mund të tregojë veten”, theksoi më tej ajo.

Edhe Doçi bëri një thirrje për tifozët në stadiumin “Loro Boriçi”.

“Kam 13 vite që luaj në stadiumin “Loro Boriçi”. Është një fushë që unë e njoh shumë mirë. Shkodra e ka mirëpritur gjithmonë mirë futbollin dhe dua t’i jap një mesazh të gjithë tifozëve. Të na mbështesin nesër nga shkallët e stadiumit dhe të jenë të pranishëm sepse realisht kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Luajmë ndaj një kundërshtari të vështirë, por asgjë nuk është e pamundur”, theksoi ajo./ata