Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-drejtoreshës së Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi dhe tre të pandehurve të tjerë, Besjan Ramaj, Leonard Ramaj dhe Ardjan Malasi.

Nëpërmjet një njoftimi, SPAK sqaron se Dashi akuzohet për “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, ndërsa Besjan Ramaj, Leonard Ramaj dhe Ardjan Malasi akuzohen për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Ish-zyrtarja sipas hetimeve të SPAK dyshohet se pastronte paratë e dy vëllezërve Besjan Ramaj dhe Leonard Ramaj, të dënuar në Belgjike për trafik droge.

SPAK njofton se sipas akteve të dërguar nga autoritetet e drejtësisë belge, përmes letërporosisë dhe nga hetimet e kryera në lidhje me të dhënat e përftuara nga këto akte rezulton se të pandehurit, Besjan Ramaj dhe Leonard Ramaj, vëllezër mes tyre janë dënuar nga autoritetet belge në vitin 2021 për vepra penale të lidhura me narkotikët, ndërsa i pandehuri Besjan Ramaj rezulton të jetë dënuar për vepra të njëjta penale në vitin 2012, nga autoritetet e drejtësisë norvegjeze.

Përgjatë hetimeve të kryera, njofton më tej SPAK rezulton se i pandehuri Besjan Ramaj, të paktën prej vitit 2010 në bashkëpunim të veçantë me të pandehurin Leonard Ramaj (vëllai i tij), Ardjan Malasi (i njohuri i tij) kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, përmes investimit në pasuri të paluajtshme, kryerjes së veprimeve për shitblerje dhe transferim në vazhdimësi të pronësisë,  si dhe përmes lëshimit të faturave fiktive nga shoqëritë tregtare të tyre për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm. Kjo veprimtari kriminale rezulton të ketë vazhduar nga viti 2010 e në vijim deri në vitin 2023.

Ndërsa e pandehura Rajmonda Dashi, sipas SPAK është përfshirë në disa veprime të kryera pas vitit 2018, në bashkëpunim me të pandehurit Besjan Ramaj dhe Ardjan Malasi, e cila për shkak të kohës së përfshirjes në këtë veprimtari, rolit dhe veprimeve të kryera prej saj, rezulton se ka vepruar në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë dhe jo atij të veçantë.

Përgjatë kësaj veprimtarie kriminale thotë SPAK, rezulton të jetë përdorur kryesisht paraja në dorë, e cila është integruar në shoqërinë “Ledio 04” sh.p.k me ortak dhe administrator, të pandehurin  Ardjan Malasi, për t’u investuar më pas në pasuri të paluajtshme.

SPAK thotë se dijenia e tyre mbi origjinën e paligjshme të pasurive dhe të të ardhurave rezulton e provuar për të pandehurit Besjan dhe Leonard Ramaj si të përfshirë edhe në aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve, ku janë gjeneruar të ardhurat e kundërligjshme dhe për të pandehurin Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi nga rrethanat faktike, si përfshirje të tyre në kryerje të veprimeve juridike haptazi fiktive, si dhe në veprime të tjera të kryera gjatë investimit në pasuri të paluajtshme të të ardhurave që dihet që kanë origjinë të paligjshme apo veprime të tjera juridike të kryera në lidhje me to.

Po ashtu SPAK i ka kërkuar GJKKO të konfiskohen 12 apartamente në Fier; 1 (një) dyqan prej 300m 2 në qytetin e Fierit; 1 (një) pasuri e paluajtshme, ullishte, me sipërfaqe 5.200 m, ndodhur në Mallakastër; 4 (katër) apartamente në qytetin e Tiranës; 3 (tre) ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës; 1 (një) shoqëri tregëtare; 2 (dy) automjete;

Në lidhje me këtë hetim është bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë së shtetit të Belgjikës dhe të Norvegjisë./ata