Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalimin e mbajtur në ditën e 297-të të protestës te “Rruga e Shpresës”, e cilësoi qeverinë si fajtoren kryesore për krijimin e një diktature të bazuar në krim, drogë dhe vjedhje të qytetarëve.

Berisha vlerësoi qëndresën e mbështetësve të opozitës, të cilët i konsideroi si mbrojtës të lirisë dhe demokracisë.

Berisha bëri thirrje për një hetim nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA lidhur me shpenzimet prej miliona dollarësh të korruptokratëve amerikanë, të cilët, sipas tij, ndihmuan në krijimin e këtij sistemi të drejtësisë në Shqipëri.

“I bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë të SHBA të nisë hetim për dhjetëra-milionë dollarë të shpenzuara nga korruptokratët amerikanë. Për të krijuar në Shqipëri sistemin monstër të drejtësisë. I bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë, të mos mbështesë një organizatë kriminale që quhet “Skapi i partisë””, u shpreh Berisha.

Ai gjithashtu i bëri apel Komisionit Europian dhe Komisionit të Venecias që të hetojnë dhe të mos mbështesin një drejtësi, të cilën ai e përshkroi si një “sistem monstër”, më i keq se në çdo vend tjetër.

“I bëj thirrje Komisionit Europian të kërkojë me urgjencë Komisionin e Venecias, të mos mbështesë një instrument të diktaturës. Të diktaturës së bandave. Të mos mbështesë një sistem drejtësie që nuk ekziston kund në botë, më i keq se në Vietnam, më i keq se në Bjellorusi, më i keq së në çdo vend”, tha Berisha.

Në fjalimin e tij te “Rruga e Shpresës”, Berisha akuzoi disa figura kryesore të drejtësisë në Shqipëri, duke i cilësuar si pjesë të një organizate kriminale që bashkëpunon me vrasës dhe trafikantë.

Ai përmendi emra si Irena Gjoka, Altin Dumani, Arben Kraja dhe të tjerë, duke i konsideruar si simbole të kësaj “drejtësie të kapur”.

“I bëj thirrje, mos dëgjoni korruptokratët evropianë, por dëgjoni specialistë, dëgjoni Komisionin e Venecias, dërgoni komisione dhe jo ata që mbi baza korruptive shkatërruan në Shqipëri sistemin e drejtësisë dhe vendosën një drejtësi kryekëput degë të PS. Vendosën institucione, fytyra e vërtetë e të cilave është Irena Gjoka, është Altin Dumani, Arben Kraja, Millonai. Janë një bandë kriminelësh, një organizatë kriminale që tregtojnë ligje me vrasës, me trafikantë”, tha Berisha.

“Garantoj shqiptarët se ligji dhe vetëm ligji, barazia para ligjit është qëllim madhor i programit të PD-së”, theksoi Berisha.

Berisha gjithashtu iu drejtua qytetarëve shqiptarë për t’u mobilizuar kundër qeverisë dhe veçanërisht kundër kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për një protestë masive nesër në orën 11:00 para bashkisë./ata