E Ngarkuara me Punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn pati një mëngjes pune me Bordin Drejtues të Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham).

Në një postim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA-së, bën të ditur se ata diskutuan për mjedisin e biznesit, sundimin e ligjit, procesin e integrimit në BE dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Dhomës dhe Ambasadës për të përmirësuar mjedisin e biznesit për investime të brendshme dhe të huaja.

VanHorn vlerësoi përpjekjet e Dhomës për lobim në përmirësimin e kuadrit rregullator dhe nxitjen për një proces konsultimi publik transparent dhe efektiv mbi legjislacionin që lidhet me biznesin.

VanHorn premtoi mbështetje të vazhdueshme nga ambasada për përpjekjet e AmCham në nxitjen e një klime pozitive investimi, e cila është një kusht thelbësor për rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri./ata