Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, për tregtinë e jashtme rezulton se vlera e importit nëntë muajt e parë të këtij viti arriti në afro 666 miliardë lekë ose 2.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nëse analizojmë shifrat sipas grupmallrave të importuar gjatë periudhës Janar-Shtator të vitit 2024 vëmë re se importi ka qenë shumë dinamik, ku “Makineritë dhe Pajisjet” udhëheqin me një vlerë prej 176.2 miliardë lekësh.

“Ushqimi, pijet dhe duhani” renditen të dytët me 117 miliardë lekë dhe më pas importet e “Materialeve të ndërtimit dhe metaleve”, me 92.3 miliardë lekë, të cilët konfirmojnë edhe njëherë rritjen e sektorit të ndërtimit, që është një faktor kyç për zhvillimin ekonomik. Në të kundërt, u importuan më pak produkte kimike si dhe tekstike dhe këpucë krahasimisht me kategoritë e lartpërmendura.

Fokusi i analizës së “Scan Intel” këtë herë është importi i ushqimeve, kategori kjo që zë edhe peshën më të madhe të konsumit në familjet shqiptare. Si ka ndryshuar importi për secilën kategori në një vit?

Rritja më e lartë i atribuohet kategorisë “makineri dhe pajisje” me 11.1% dhe më pas renditen “ushqimet” me 7.8%. Pra, shifrat konfirmojnë se ekspozimi i tregut shqiptar ndaj importeve të ushqimeve është rritur. Në të kundërt, uljen më të lartë e ka përjëtuar kategoria” Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” ku kemi importuar 16.5% më pak se një vit më parë.

Por kush e furnizon Shqipërinë me ushqime? Shqipëria mbështetet tek një grup i gjerë partnerësh tregtarë për të siguruar furnizimin me ushqime, pije dhe duhan. Sipas të dhënave, Italia është furnizuesi kryesor me 20.4% të importit total.

Më pas, renditet Greqia me një pjesëmarrje prej 12.3% në importin total të ushqimeve. Këto dy shtete së bashku përbëjnë më shumë se 1/3 e totalit të importit të ushqimeve.

Nga ana tjetër, Serbia me 7.3%, dhe Polonia me 6.2% janë gjithashtu furnizues të rëndësishëm për Shqipërinë. Gjermania, megjithëse një partner i madh tregtar në shumë sektorë të tjerë, zë vetëm 3.7% të importit të ushqimeve. Nga vendet jashtë Europës, Brazili zë një pjesë të vogël me 3.6%, ndërsa Turqia dhe Kosova përbëjnë secila 3.5% të importit total./Tema