Institucionet financiare jo banka kanë qenë gjithmonë një derë e hapur për ata që punonin në informalitet, të cilët janë përjashtuar nga sistemi bankar tradicional si rrjedhojë e mungesës së dokumentacionit të të ardhurave. Gjatë kësaj jave, Kryeministri Edi Rama njoftoi mbi nisjen e një aksioni kundër informalitetit që do të nxisë deklarimin real të pagave të punonjësve.

Por, si pritet të ndikojë ky aksion në institucionet financiare jo banka? Me përfshirjen në ekonominë formale, a do të ketë tashmë një largim të qytetarëve nga institucionet e mikrofinancës, të cilët i kanë mbështetur gjithmonë me kredi, drejt bankave të nivelit të dytë?

Pavarësisht se sektori i mikrofinancës preket pjesërisht, Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Mikrofinancës Shqiptare, Brunilda Isaj, u shpreh se aksioni për deklarimin real të pagave do të rrisë në tërësi aksesin e qytetarëve në financë.

E pyetur edhe mbi rregulloren më të fundit të Bankës së Shqipërisë që synon të vendosë kufizime në numrin e kredive që mund të japë një institucion financiar jo bankë, Isaj theksoi se kjo kontribuon në uljen e përfshirjes financiare të qytetarëve.

Në 12 muajt e fundit, shumica e atyre që nuk merrnin pagën përmes bankës u drejtoheshin kredive jo-bankare. Këto kredi janë gjithashtu të preferuara nga individët me të ardhura më të ulëta, ku ndër të tjera rehatia dhe shpejtësia e kredive mikrofinanciare i bëjnë ato një opsion tërheqës./Scan